Transmetuar më 25-05-2019, 15:26

Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019. Ajo thotë se të drejtën e votës e kanë 3,536,015 shtetas shqiptarë, ndër ta, 132.788 zgjedhës votojnë për herë të parë; 51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra.

Por sa realisht janë të vërteta këto shifra, në kushtet kur në Shqipëri nuk jeton as gjysma e tyre?

Instituti Shqiptar i Statistikave, në të gjitha raportet e rregullta që ka nxjerrë së fundi, evidenton se gjithsej në Shqipëri jetojnë rreth 2.8 milionë shtetas shqiptarë.

E ndërkohë, afro 3.6 milionë njerëz rezulton sipas ministrisë së Brendshme se janë të thirrur për votime.

Pse ndodh ky paradoks?

Shqiptarët kanë ikur nga atdheu dhe vazhdojnë ta bëjnë.

Regjistrimet e popullsisë dhe evidencat e INSTAT flasin për më pak se 2.8 milionë shqiptarë që jetojnë në vend.

Por kjo shifër është edhe më e pakët, nisur nga fakti se përditë ikin me qindra shqiptarë që vihen në kërkim të një jete më të mirë.

Në këto kushte, ajo që është më e pritshmja, duket të jetë pjesëmarrja e rreth gjysmës së shifrës 3.6 milionë që nxjerr ministria e Brendshme, nisur dhe nga zgjedhje të mëparshme.

Shifrat janë pesimiste për një pjesëmarrje të pranueshme në votimet e fund qershorit dhe bëhen edhe më shumë të tilla, për vetë faktin se opozita që përfaqëson diku te gjysma e elektoratit shqiptar, nuk merr pjesë në zgjedhje.

Për rrjedhojë lind pyetja: Sa shqiptarë do të hedhin votën në 30 qershor? E cila sjell dhe pikëpyetjen e madhe: Sa të vlefshme mund të jenë ato nëse pjesëmarrja do të jetë ndjeshëm e ulët? /noa.al/