Transmetuar më 23-05-2019, 13:30

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla komentoi deklaratat e Presidentit Ilir Meta, mbi reformën zgjedhore e krizën politike në vend.

“Ne jemi kundërshtarë, por ama kur vjen çështja te rruga europiane duhet jemi bashkë. Më vjen keq, që ka politikanë që sa më shumë i afrohet Shqipëria një momenti historik rreken për ta dëmtuar. Të mërkurën në mesditë KE do të rekomandojë fillimin e bisedimeve mes Shqipërisë dhe BE-së.

Më vjen keq që Presidenti e rendit veten në krahun e atyre që mendojnë se reforma në drejtësi nuk ka ecur si duhet edhe pse të gjitha institucionet ndërkombëtare e vlerësojnë apo për më keq, që parlamenti sipas tij, nuk qenka funksional. Po pse? Se këtu nuk është Monika por Ralfi, apo se i mungojnë fjalimet e pa pikë e presje të Berishës dhe që janë zëvendësuar me fjalime të ngjashme të Kujtim Gjuzit? Le ta shfrytëzojmë këtë kohë për Shqipërinë Europiane”, u shpreh Balla.

Më tej Balla ritheksoi se 30 qershori është afati i fundit për zgjedhjet dhe se nuk do ketë asnjë ditë më pas shtyrje.

“Edhe e fundit që ta dini, zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen. Për ata që nuk e dinë 30 qershori është afat ii fundit Kushtetues për mbajtjen e zgjedhjeve dhe kush guxon të dëmtojë procesin ua kam lexuar Kodin Penal”, tha ai./b.l/noa.al/