Transmetuar më 23-05-2019, 12:56

Debate në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për regjistrimin e komisionerëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në KZAZ për zgjedhjet e 30 qershorit.

Përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ, Ivi Kaso deklaroi se PD ka të drejtë për komisionerë në KZAZ duke akuzuar KQZ për shkelje në regjistrimin e partisë së Astrit Patozit, Bindja Demokratike.

Ai deklaroi se anëtarët e KQZ janë kërcënuar që të mos lejojnë regjistrimin e komisionerëve të opozitës jo-parlamentare dhe iu bëri thirrje anëtarëve që të regjistrojnë komisionerët, pasi në të kundërt do të përballen me përgjegjësi ligjore. Por anëtari i PS në KQZ Denar Biba e cilësoi këtë deklaratë një shantazh.

Më pas anëtarët janë shprehur për kërkesën e dy partive opozitare që nuk marrin pjesë në zgjedhje por kërkojnë komisionerë. Bledar Skënderi, deklaroi votën kundër duke thënë se PD dhe LSI nuk kanë të drejtë ligjore për të çuar komisionerë.

Po kështu Rezarta Bitri deklaroi votën kundër pasi sipas saj është kusht që partitë të jenë subjekt zgjedhor për të pasur komisionerë. Anëtarja tjetër Edlira Jorgaqo, tha se nuk mund të përfitojë nga e drejta ligjore një parti që nuk ka asnjë përfaqësues të saj dhe që ka refuzuar publikisht të jetë pjesë e zgjedhjet.

Edhe anëtari i KQZ Denar Biba ka shprehur qëndrimin e tij kundër ashtu si në mbledhjen e shkuar të KQZ-së.

Pjesë nga debati në KQZ

Ivi Kaso: Miratimi i komisionerëve nga KQZ është thjesht përmbushje e ligjit. Mazhoranca e ka shprehur hapur kundërshtimin për këtë vendim. PD ka denoncuar tentativat e mazhorancës që kanë tentuar të ushtrojnë presion ndaj anëtarëve te KQZ.

Eridian Salianji: Monitorimin e zgjedhjeve mund ta bëjë një parti që regjistron kandidatë në zgjedhje.

Ivi Kaso: Mjafton te jetë parti parlamentare, jemi brenda ligjit. Ndaj bëra thirrje për plotësim te ligjit.

Denar Biba: Nuk bëre thirrje, bëre shantazh!

Topollaj: PD ka problem me Bindjen, do të pengojë pjesëmarrjen tonë në zgjedhje. Jemi brenda afateve ligjore, jemi ne garë zyrtarisht.

Biba, Kasos: Do të kemi zgjedhje në 30 qershor?

Kaso: Jo

Biba: Atëherë, pse doni komisionerë në zgjedhje?

Kaso: Komisionerët do të jenë aty për të zbatuar ligjin.