Transmetuar më 23-05-2019, 08:58

Një operacion i policisë së Fierit i koduar “Shënjestra”, ka goditur një rast të shpërndarjes lëndëve narkotike të forta, duke vënë në pranga tre persona dhe duke shpallur në kërkim një tjetër.

Gjatë operacionit të mbrëmjes së kësaj të mërkure u godit një grup i cili ushtronte aktivitetin kriminal të përpunimit dhe shitjes së lëndëve të forta narkotike heroinë dhe kokainë në qytetin e Fierit dhe në qytete të tjera.

Si rezultat i operacionit, në banesat e të dyshuarve u gjet dhe u sekuestrua rreth 1.4 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë dhe rreth 1 kilogramë kokainë.

Ndërkohë një pjesë e heroinës ishte e ndarë në doza të vogla gati për shitje.

Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe një armë gjahu pa leje.

Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i I. T., 47 vjeç, banues në Bishanak, Fier i dënuar më parë për grabitje me dhunë, djali i tij G. T., 22 vjeç dhe kunata e tij T. T,, 51 vjeçe, banuese në Bishanak, Fier.

Krahas tyre u proceduan penalisht në gjendje të lirë dy persona të tjerë dhe vijojnë hetimet për të parë implikimin e tyre në këtë veprimtari kriminale.

Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e Z. T., 55 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor i shtetasve të arrestuar për këtë veprimtari kriminale

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. /a.y/noa.al