Transmetuar më 22-05-2019, 15:52

Gjykata e Lartë mbetet vetëm me dy anëtarë, duke e çuar institucionin zyrtarisht në kolaps. Kjo pasi, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra gjykatësin e lartë Edmond Islamaj. Vendimi për Islamaj është dhënë sot nga KPA pas ankimimit të komisionerit Publik.

Islamaj është konfirmuar në detyrë nga KPK në qershor të vitit të kaluar. Gjykata e Lartë, shkalla më e lartë e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë del kështu jashtë funksionit duke iu bashkuar Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë komunikimit të vendimit kreu i trupës gjykuese tha se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të paplotë dhe të pasaktë të pasurisë së tij në deklaratën e tij vetting me qëllim shmangien nga kontrolli në kuadër të procesit të rivlerësimit të pasdurisë së tij në formën e likuiditetit në sistemin bankar për shkak se rezulton në pamundësi të burimeve të ligjshme për ta justifikuar.

Gjyqtari e kishte kaluar vettingun pak kohë më parë, por vendimi u ankimua nga Komisioni Publik për dy shkelje në lidhje me pasurinë që sipas Komisionerit Publik nuk janë hetuar siç duhet nga KPK.

Në listën e verifikimeve të paplota Komisioneri Publik përmend transferta parash brenda e jashtë vendit si dhe dyshimet për një apartament e një dyqan në Vlorë, të cilat nuk janë hetuar plotësisht nëse lidhen apo jo me gjyqtarin Islamaj dhe bashkëjetuesen e tij S.T.

Një tjetër gjetje e Komisionerit Publik lidhet me pretendimet se gjyqtari Islamaj s’duhet të kalonte vettingun pa një hetim të plotë.

Gjithashtu një tjetër çështje që u hetua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ishte dhe një kontratë huamarrje e vjehrrit të gjyqtarit me një person tjetër në vlerën e 3 milion lekëve, ku personi i pyetur nga Komisioneri Publik e mohon dhënien e këtij borxhi.