Transmetuar më 22-05-2019, 13:47

Pas një ore protestë përpara godinës te ministria e Arsimit ku nuk munguan as incidentet e vogla me thyerje xhamash, studentët janë zhvendosur në këto momente drejt Fakultetit të Shkencave të Natyrës duke mbyllur për sot tubimin e tyre.

Ata kanë marshuar fillimisht nga qendra drejt ministrisë me thirrjet e “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa” duke mos kursyer akuzat ndaj qeverisë, e cila sipas tyre, nuk ka përmbushur premtimet për studentët mbi “Paktin për Universitetin”.

Gjatë qëndrimit për 60 minuta para godinës së ministrisë ata dogjën letra dhe hodhën tymuese duke kërkuar më shumë të drejta për studentët.

Mes tjerash studentët theksuan se qeveria i ka gënjyer, ndërsa nënvizuan se propaganda e ndjekur prej saj tashmë ka dështuar përfundimisht.

Ata kanë shpalosur dhe pikat e tyre ku kanë kërkuar; Rrëzimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, arsim cilësor në të dyja ciklet e studimit, rankimin e programeve sipas modeleve bashkëkohore, rritja e peshës së përfaqësimit në institucionet e arsimit të lartë, autonomi reale e IAL  dhe jo e diktuar nga bordet qeveritare.

Ndërkohë më parë kryeministri Edi Rama publikoi një video me të dhëna në rrjetin social “Facebook”, që sipas tij tregojnë se janë përmbushur të gjitha premtimet për studentët. Ajo që ende nuk dihet ka të bëjë me mënyrën se si ata do të vijojnë qëndresën ditët në vijim.