Transmetuar më 22-05-2019, 12:03

Kryedemokrati Lulzim Basha kujton revoltën e Qafë Barit, për të cilën thotë se tronditi diktaturën.

“35 vjet më parë, me 22 maj 1984, revolta e Qafë Barit tronditi diktaturën dhe përhapi kushtrimin anembanë se liria nga dhuna e egër dhe gjakatare do të vinte. Sot përulemi para heroizmit prekës të martirëve të Qafë-Barit, Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja, të cilët ranë theror për liri!”, shkruan Basha.

Ai thotë se 35 vjet më vonë, protagonizmi i xhelatëve të komunizmit është një kambanë alarmi për gjithë kombin.

Sipas tij, vatra e së keqes është akoma e ndezur, drejtësia akoma nuk e ka bërë detyrën e saj, liria dhe demokracia janë akoma të brishta, dhe e ardhmja e Shqipërisë është në udhëkryq.

“Të frymëzuar nga rezistenca e martirëve të Qafë-Barit, me amanetin e sakrificës së tyre në zemër, jemi sot më të bashkuar dhe të vendosur se kurrë, për të mos lënë asgjë dhe askënd të mposhtë lirinë dhe demokracinë e të shkatërrojë të ardhmen europiane të shqiptarëve.

Lavdi përjetë martirëve të Revoltës së Qafë Barit! Shqipëria si Europa”, shkruan kreu i opozitës./a.y/noa.al