Transmetuar më 12-05-2019, 03:56

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se dy zyrtarë të Qeverisë së Kosovës janë ndaluar sot nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë. Një prej tyre është këshilltar i kryeministrit dhe tjetri i ministrisë së Bujqësisë, raporton noa.al

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, e ka quajtur të papranueshëm ndalimin e këtyre dy zyrtarëve, duke thënë se “keqtrajtimet e vazhdueshme të autoriteteve serbe janë provokim dhe agresion i Serbisë ndaj Kosovës”.

Të ndaluar nga autoritetet serbe, siç thotë kryeministri, janë Sërxhan Jonanoviq, këshilltar në Zyrën e Kryeministrit dhe Srecko Spasiq, këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë.

Sipas Haradinajt, veprime të tilla tregojnë se “politika agresive e Serbisë nuk ka të ndalur dhe bllokuesit kryesor të normalizimit të marrëdhënieve janë autoritet serbe”.

Deklarata e plotë e z.Haradinaj

"I papranueshëm keqtrajtimi i vazhdueshëm i zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës nga autoritetet serbe. Sot në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë janë ndaluar nga autoritetet serbe, Srdjan Jovanoviq, këshilltar në zyrën time dhe Srecko Spasiq, këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Keqtrajtimet e vazhdueshme të autoriteteve serbe janë provokim dhe agresion i Serbisë ndaj Kosovës. Kjo tregon se politika agresive e Serbisë nuk ka të ndalur dhe bllokuesit kryesor të normalizimit të marrëdhënieve janë autoritet serbe".