Transmetuar më 07-05-2019, 05:18

Përzgjedhja e recetave është bërë nga dietologë dhe kuzhinier mjaft të aftë. Ato janë të bollshme dhe të mjaftueshme për personat të cilët përvec një regjimi shpirtëror do mbajnë dhe regjim fizik përgjatë këtij Muaji të Shenjtë.

Me shpresën se recetat e sjella do pëlqehen nga ju më poshtë do t’ju prezantojmë pjata me shije të veçanta, kryesisht aziatike.

Menuja e ditës së parë të Ramazanit e cila përbëhet nga 5 pjata, menu që mund ta përdorni në cilëndo ditë tjetër të muajit të Madhërueshëm

-Supë me makarona të kavurdisura

-Bohça Kebap (pjatë tipike e qytetit të Manisës, Turqi)

-Sallatë me perime dhe arra

-Dhallë (ajran) me nenexhik

-Gylaç (ëmbëlsirë turke me peta niseshteje)

-Supë me makarona të kavërdisura

Përbërësit:

1 gotë uji me makarona fije

1 lugë gjelle gjalpë

5 gota ujë të nxehtë

Kripë

Piper i zi

Për kremin shtesë

1 e verdhë veze

2 lugë gjelle kos

Përgatitja:

Në një tenxhere të mesme shkrijmë gjalpin dhe pastaj i shtojmë makaronat. I kaurdisim ato deri sa të marrin ngjyrë kafe. Më pas shtojmë ujin dhe e lejmë derisa të ziejë. Pasi uji ka arritur vlimin minimizojmë nxehtësine e sobës dhe e lemë 10 minuta të tjera.

Në një enë tjetër nisim përgatitjen e masës së kremit. Përziejmë mirë  të verdhën e vezës me kosin dhe më pas ja shtojmë supës që është në tenxhere duke i përzier ngadalë në mënyrë që të krijohet një masë sa më e njëtrajtshme. Shtojmë kripën dhe piperin e zi dhe e lëmë në nxehtësi shumë të ulët që të ziejë dhe pak.

-Bohça Kebap (pjatë tipike e qytetit të Manisës, Turqi)

Përbërësit:

500 gr mish viçi i grirë në kubikë të vegjël

1 kokërr qepë

1 domate

2 speca jeshil

7 lugë gjelle bizele të skuqura

Kripë, piper i zi, piper i kuq pluhur.

 Përbërësit për krepën:

1,5  gota uji me qumësht

1,5 gota uji miell

2 kokrra vezë

1 gotë çaji kripë

Pak vaj luledielli

Përbërësit për beshamelin:

1 lugë gjelle gjalpë

1,5 lugë gjelle miell

1,5 gota uji qumësht

Kripë, piper i zi

Përgatitja:

Si fillim përgatisni krepën me të cilën do mbështillet kebapi.

Më pas nisni me përgatitjen e gjellës me të cilën do mbushet krepi. Në një tenxhere të bollshme skuqni mishin derisa të shterojë lëngu që mishi lëshon. Më pas shtojini qepën e grirë hollë, specat dhe domatet. I lini në zjarr përreth 7-8 minuta. Në fund të këtij procesi i shtoni bizelet, kripën dhe erëzat. I lini në zjarr dhe 1-2 minuta më tepër.

Pastaj kalojmë tek përgatitja e beshamelit. Në një tënxhere të vogël shkrini gjalpin dhe shtoni miellin. I përzieni përreth 2 minuta. Më pas i shtoni ngadalë qumështin në mënyrë që të krijohet një përbërje kompakte. Në fund të procesit i shtoni kripën dhe piperin e zi.

Shtroni krepin në një enë rrumbullake dhe mbusheni me 3 lugë gjellë. Mbyllini ansorët e krepit në mënyrë që të mos dalë gjella jashtë. Këto toptha shtrojini në tëpsi të lyer me vaj dhe pasi t’i keni shtruar të gjitha mbuloni secilën prëj tyre me beshamel dhe djath kackavall (sipas preferencës). Piqet në temperaturë 180 gradë derisa të marrë ngjyrë.

-Sallatë me perime dhe arra

Nuk kishte si të mungonte sallata në një menu ku është i pranishëm mishi.

Përbërësit:

4 domate të vogla

2 kastraveca të vegjël

1 spec jeshil

2 tufa të vogla majdanoz

1 qepë e thatë

5 lugë gjelle vaj ulliri

5 lugë gjelle lëng shege i koncentruar (gjendet në market)

2 lugë gjelle lëng limoni

1 gotë çaji me arra të grira

Kripë

Përgatitja:

I grijmë në kubikë shumë të vegjël gjitha zarzavatet dhe në fund i shtojmë arrat, lëngun e shegës, vajin dhe kripën. Pasi i përziejmë  mirë përbërësit sallata është gati për t’u servirur.

Ajran me nenexhik

Përbërësit:

16 lugë gjelle kos

250 ml ujë i ftohtë

4-5 fije nenexhik

Kripë

Përgatitja:

Hidhni në frulator kosin përzieni derisa të bëhet i njëtrajtshëm. Shtoni nenexhikun dhe përzieni prapë ne frulator. Më pas i shtoni ujin dhe kripën.

Kjo përbërje shërbehet në gotë dhe mund ta dekoroni me një gjethe nenexhiku.

Gylaç

Përbërësit:

10 peta brumi niseshteje

Përbërësit për shërbetin:

7 gota qumësht

2 gota uji sheqer

1 lugë gjelle ujë trëndafili ose 1 lugë gjelle vanilje

Përbërësit për siprinën:

Vishnje

Arra të grira ose fistik

Përgatitja:

Në një tenxhere të thellë hidhni qumështin bashkë më sheqerin dhe vendoseni në sobë me tempëraturë mesatare derisa të shkrihet plotësisht sheqeri. Pasi e largoni nga soba i shtoni ujin e trëndafilit ose vaniljen ( sipas preferencës)

Shtroni petët në një tepsi dhe ndajeni në dy pjesë (5 me 5)

Pasi shtroni pjesën e parë i shtoni 1 garuzhde e gjysëm me qumështin e sheqerosur. Po ashtu veproni dhe me pjesën e dytë.  Pjësën e mbëtur të qumështit shtojani ngadalë dhe mos u merakosni nëse ju duket i tepërt pasi petat do e përthithin atë mrekullisht. Mbuloni tepsinë me një letër kuzhine dhe lëreni të pushojë në frigorifer për disa orë. Pasi e nxirrni nga frigoriferi ndajeni në kallepë dhe shtojini sipër vishnje dhe arrat e grira. (Mund t’i shtohen dhe fruta të tjëra sipas preferencës)

Shënim: Qumështi duhet të jetë i vakët.

Ju bëftë mirë!