Transmetuar më 02-05-2019, 23:42

Gjatë një përleshjeje fizike, tre persona janë therur me thikë në shkollën bujqësore Abdyl Frashëri në lagjen "Emshir" të Prishtinës, njofton policia e Kosovës.

Në një komunikatë për media, thuhet se “tre personat, një 16 vjeç dhe dy të tjerë 17 vjeç, kanë marrë plagë nga arma e ftohtë dhe të njëjtit menjëherë janë dërguar për trajtim mjekësor”.

Të rinjtë e plagosur janë:

A. A, mashkull, 16 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës Sh. B, mashkull, 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe Sh. A, mashkull, 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,

Policia ka arritur të identifikojë të dyshuarit dhe është në kërkim të tyre.

“Në kuadër të veprimeve të saj, policia ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të zbardhur gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, thuhet në komunikatën e policisë.

Ky incident ndodh disa ditë pasi në një shkollë tjetër të Prishtinës, nëna e një nxënëseje sulmoi me thikë mësuesen e fëmijës së saj.