Transmetuar më 02-05-2019, 14:23

Kryeministri Ramush Haradinaj u qëndron sërish deklarimeve të tij se nga Thaçi dhe kryeministri Edi Rama ka pasur "presion" për të hequr taksën ndaj Serbisë.

Në një dalje për mediat pas mbledhje së qeverisë së Kosovës, Haradinaj pa dashur të merret personalisht me Ramën tha se u ka për borxh qytetarëve të vërtetën mbi këtë proces kaq të rëndësishëm.

“Për mua shqiptarët edhe të majtë edhe të djathtë janë vëllezërit e mi, ua kam borxh të vërtetën. Atë që ka thënë At Zef Pllumi "Rrno për me tregu". Do ta tregoj të vërtetën edhe kur i pëlqen edhe kur nuk i pëlqen dikujt. Kam obligim ndaj qytetarëve për një transparencë të asaj që po ndodh. Shyqyr që aty është dikush me tregu të vërtetën”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për Samitin e Berlinit ku është shprehur se ai ka normalizuar rajonin, dhe që pjesa kryesore e këtij samiti i është kushtuar marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Haradinaj, ka komentuar edhe takimin e ardhshëm i cili do mbahet pas 3 muajsh në Paris.

“Kosova duhet të plotësojë formatin e tij, sepse nuk bëhet vetëm fjalë për një takim, por për një dialog, dhe se në dialog duhet të jetë edhe delegacioni i mandatuar nga parlamenti. Përveç presidentit Thaçi, duhet të jenë edhe Limaj, Pacolli e Ahmeti. Po shkojmë në një proces serioz. Sa i përket marrëdhënies Kosovë-Serbi, besoj se tashmë jemi formuar, dhe nuk shkohet në dialog për shkëmbim territoresh por për njohjen reciproke. Dhe është qartësuar se nuk do të diskutohet për taksën”, tha Haradinaj.

Ndër të tjera, Haradinaj është ndalur edhe te takimi i Parisit të cilin e  ka cilësuar si më serioz, ndërsa ka shtuar se duhet të koordinohen me Amerikën. “Takimi i Parisit është më serioz, dhe duhet të koordinohemi me Amerikën sepse është garantuese e një marrëveshje”. Gjithashtu, kryeministri deklaroi se idetë për shkëmbimin e territoreve tashmë i përkasin të kaluarës.