Transmetuar më 24-04-2019, 01:37

Dashamir Shehi, kryetari i LZHK-së (Lëvizja për Zhvillim Kombëtar), tha mbrëmjen e sotme se Edi Ramës tashmë i ka mbetur që të marrë topin e futbollit dhe t’a çojë në shtëpinë e tij, pasi të gjitha i ka grabitur.

Shehi sugjeron se Rama kapi gjithë shtetin, çdo institucion që duhej të ishte i pavarur, madje shkoi të merrte edhe FSHF-në.

“Së fundmi Rama kapi rektoratin e UT dhe unë ju them se ky rektori që shkarkoi me natyrën që ka nuk ngrinte gishtin kundër kryeministrit, por me siguri ka dëgjuar se Mynyr Koni ka folur gjëkundi kundër tij.

Pra Rama sot nuk duron dot asnjë lloj kritike, madje me këtë që bëri tregoi se as profesorët as akademikët nuk e kanë të sigurtë atë karrigen e punës në auditore”, tha Shehi.

Në vijim ai shtoi se opozita në kushte të tilla ka dalë në rrugë, e ka thënë qartë se nuk pranon rregullat e lojës që cakton Rama, i cili tashmë duhet të përgjigjet për këto rregulla.

“Ne s’mund të pranonim që Rama të na dhunonte dhe ne të heshtnim, apo ai mos na dëgjonte për çdo gjë që denonconim dhe propozonim”, tha Shehi.

Shehi, i ftuar në "News24”, ka paralajmëruar se 1997-a nuk do të përsëritet më, por shtoi se mund të ndodhë një 1997 në forma të tjera.

Sipas tij, shkak për këtë është qeveria që po grabit shqiptarët dhe kryeministri Edi Rama që po rri në pushtet si Enver Hoxha dikur.

“1997 nuk besoj se do të ndodhë. Larg qoftë që të ndodhë më ajo që ka ndodhur në vitin 1997. Por unë besoj se mund të përsëritet një 1997 e 2019-s, pra një ’97, në forma të tjera. Mund të ndodhë sepse shqiptarët janë të rebeluar ndaj kësaj qeverie, ndaj asaj që bën kjo qeveri. Kjo qeveria grabit çdo gjë që ka Shqipëria.

Rama grabit, duke na thënë se ka një milion vota dhe mund të bëjë gjithçka. Ky po rri në pushtet dhe po rri në pushtet gjatë si Enver Hoxha dikur”, deklaroi Shehi.