Transmetuar më 23-04-2019, 12:00

Kryedemokrati Lulzim Basha pas partive të vogla aleate, nënshkroi pak para mesditës së sotme marrëveshjen e koalicionit qeveritar me aleaten më të madhe, kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, kryetarja e LSI shoqërohej nga Luan Rama, Petrit Vasili, Erisa Xhixho, Kejdi Mehmetaj dhe Endrit Braimllari.

Në përfundim të takimit Kryemadhi tha se pas një viti vjen nënshkrimi i koalicionit të përbashkët opozitar, përballë një shteti të kapur për krimi i organizuar, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Zgjedhje ka bërë edhe Enver Hoxha, por shqiptarët nuk kanë votuar kurrë. Shqiptarët do të kenë mundësi që të zgjedhin atë që duan. Sa i takon aksionit opozitar, kjo marrëveshje është flamuri i shpresës për çdo shqiptar dhe për gjithë ata që duan të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri. Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve. Ne jemi anëtarë të Bashkimit Europian, edhe pse vërtetë nuk jemi institucionalisht me flamur të ngritur në Bruksel, por Shqipëria është vend që Zoti e ka vendosur në mes të BE, ndaj çdo përpjekje e Edi Ramës dhe bandave kriminale për ta mbajtur larg BE, është e dështuar”, u shpreh Kryemadhi.

Ajo shtoi se sa më shpejtë të jetë largimi i Kryeministrit, aq më shumë afrohet Shqipëria me BE dhe u ofron shqiptarëve mundësinë që të rrisin fëmijët në vendin e tyre.

Në këtë linjë tha se problemi nuk është Edi Rama si individ, por Edi Rama fenomen, telekomanda e krimit të organizuar, i cili e ka kthyer Shqipërinë sipas saj, në kështjellën e mbrojtjes së grupeve kriminale.

Më herët Partia Demokratike, nënshkroi marrëveshje me Partinë Republikane, Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, Partië për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, Partinë Agrare Ambientaliste, Partia Demokristiane dhe Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet.

Dhjetë pikat e marrëveshjes së koalicionit qeveritar

– Krijimi i një koalicioni të bashkuar opozitar qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend

– Partitë nënshkruese të këtij koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme

– Rruga e vetme për krijimin e zgjedhjeve të lira është një qeveri tranzitore me mandat të posaçëm

– Partitë e koalicionit opozitar nuk do të lexojnë asnjë farse elektorale

– Pamundësimi i zgjedhjeve farse të diktuara nga pakti i Ramës me krimin

– Rikonfirmojmë vullnetin tone se BE është rruga e vetme për ti dhënë fund tranzicionit

– Angazhohemi për një marrëveshje për çlirimin e ekonomisë nga oligarkia

– Angazhohemi për lufte pa kompromis ndaj krimit të organizuar

– Mbështesim liritë dhe të drejtat themelore të qytetareve të cilët dhunohen nga veprimet arbitrare te institucioneve shtetërore

– Angazhohemi për çdo individ apo parti të identifikuar si opozitare. /a.y/noa.al