Transmetuar më 20-04-2019, 00:36

Situata politike në Shqipëri po ndiqet me vëmendje edhe nga klerikët shqiptarë.

Drejtuesit e besimeve fetare u bëjnë thirrje partive politike, që të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje për tejkalim të situatës.

Kryetari i ri i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, shpreson që klasa politike të gjejë forcën dhe kurajën për një unitet në mënyrë që të dilet nga kjo situatë.

Kryeipeshkëvi metropolit i Tiranë-Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Xhorxh Frendo thotë se politikanët duhet të kërkojnë dialog serioz, për zgjidhjen e krizës, në kohën kur edhe shumë të rinj po kërkojnë të largohen nga vendi.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjëve Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj e sheh tejkalimin e krizës tek komunikimi mes palëve.

Shqipëria është një vend ku ekzistenca dhe harmonia mes besimeve fetare konsiderohet si nje përvojë unikale vlerash e çmuar maksimalisht edhe në botën europiane.

Kjo bashkëjetesë shihet si nje shembull edhe për politikën shqiptare e cila me sjelljen e saj prej vitesh vazhdon të jetë pengesë në rrugën e integrimit.