Transmetuar më 19-04-2019, 12:30

Policia e Vlorës jep informacion lidhur me dy turistët belgë të cilët u deklaruan të humbur qysh prej pasdites së të enjtes në Llogara.

Bëhet me dije se ditën e djeshme, rreth orës 15:30, dy turistë të huaj belgë kanë telefonuar Sallën Operative Vlorë dhe kanë kërkuar ndihmë se kishin humbur në një zonë të thellë malore të Himarës.

Pas marrjes së informacionit, shërbimet e policisë Himarë kanë organizuar punën kërkimore për gjetjen e këtyre dy shtetasve duke u shpërndarë në terren rreth 15 forca policie.

Lokalizimi i tyre ka qenë tepër i vështirë pasi kushtet e këtij terreni janë tepër të thepisura dhe të thyera duke vështirësuar kështu komunikimin dhe gjetjen e tyre.

Pas 20 orë kërkimesh intensive në këtë zonë shkëmbore është bërë e mundur gjetja e çiftit, gati në majë të një mali midis fshatrave Vranisht dhe Iljaz të Himarës.

Ata kishin qenë duke ecur në këmbë me qëllim eksplorimin e turizmit malor të këtyre zonave.

Për shkak të terrenit të vështirë kishin ngatërruar rrugën e kthimit dhe për këtë kërkuan ndihmën e policisë.

Bëhet me dije turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po bëhet transporti i tyre pranë hotelit bazë në të cilin ata po qëndrojnë.

Pas lokalizimit të tyre, turistët falenderuan policinë për ndihmën e dhënë. /a.y/noa.al

Të zhdukur prej mbrëmjes në Llogara, gjenden turistët belgë

Llogara, humbin dy turistë në male