Transmetuar më 18-04-2019, 19:59

Shoqja e një 6-vjeçari është prekur nga një lloj kanceri në tru, por ajo ka mbështetje të jashtëzakonshme nga bashkëmoshatari.

Të dy u takuan në kopësht dy vite më parë, në Britaninë e Madhe.

Lulu DeVries dhe Oisin, bënin gjithçka bashkë, derisa prindërit e Lulusë zbuluan se vajza e tyre kishte neuroblastomë, një tumor agresiv që prek sistemin nervor, për t’u shpërndarë më pas në kocka dhe nyje limfatike, dhe vajza e vogël u detyrua të linte shkollën për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Prindërit e Lulu menduan fillimisht se vajza e tyre, tashmë 6-vjeç ishte anemike dhe e trajtuan për një kohë të gjatë me suplemente hekuri dhe vitaminash.

Por në qershor të 2018-ës zbuluan se kishte kancer në madhësinë e një qitroje. Ajo iu nënshtrua një operacioni të gjatë, gati 8 orë, gjatë të cilit mjekët arritën t’i hiqnin 95% të qelizave tumorale.

Nga janari e këtij viti e deri më sot, Lulu i është nështruar çdo javë seancave të kimioterapisë dhe imunoterapisë.

Mirëpo ajo nuk është e vetme në këtë luftë me shëndetin, pranë saj qëndron Oisin, shoku i saj i ngushtë 6-vjeçar, i cili i kërkoi vajzës së vogël t’i priste flokët pasi donte të dukej si ajo.

“Oisin dëgjoi për herë të parë për sëmundjen e Lulusë nga ne dhe donte menjëherë të jepte kontributin e tij. Vendosi të qethej zero që të dukej njëlloj si shoqja e tij dhe të ardhurat që do të vinin pas publikimit të fotos t’i shkonin asaj.

Jam shumë krenare për të. Është aq i vogël dhe aq i madh në të njëjtën kohë”, rrëfen mamaja e 6-vjeçarit. /k.k/noa.al/