Transmetuar më 16-04-2019, 15:18

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj mori pjesë sot në tubimin përkujtimor për Dëshmorët e Kombit, Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj, Luan Nimanaj dhe invalidin e UÇK-së, Enver Haradinaj.

Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës tregoi nivel të lartë devotshmërie duke mbrojtur deri në fund popullsinë civile, e cila sulmohej pabesisht nga forcat e regjimit serb.

Kreu i ekzekutivit kosovar foli edhe për çështjen e kufijve dhe të territoreve, teksa pohoi prerazi se nuk do të bëhet asnjë hap në këtë drejtim dhe tërësia territoriale e Kosovës nuk do të preket.

“Vetëm një gjë dua t’ju them të gjithëve në këtë vend. Ne do ta çojmë Kosovën ku i takon, në familjen e popujve dhe shteteve, pastaj një Kosovë popull e shtet i pavarur e i anëtarësuar në OKB dhe në NATO le të vendos si do të sillet ndaj vëllezërve tjerë të vet, ndaj vëllezërve e motrave të vet shqiptarë, ndaj Shqipërisë, ndaj vëllezërve të tjerë, e mendoj se do të sillet si i takon dhe kurrë nuk do ta koritë vetën, por askush nuk do të mund ta ndalojë Kosovën deri në vendin e merituar që i takon si e drejtë e shqiptarëve, një popull martir i Ballkanit.

Ju e dini, ne shpesh nuk i kemi deklaruar gjitha rrjedhat e punëve që i kemi kryer. Shumë kujt këtu ju ka rënë befasi edhe ushtria kur ka ardhur punë e kryer, dhe shumë kanë menduar se është fjalë, gënjeshtër, punë në letër. Por, sot kemi ushtri. Nuk është falë Çakorri as Kulla, gënjeshtër është dhe gjithë ata që gënjejnë e dinë se po gënjejnë dhe këtë e bëjnë për arsye të ulëta.

Nuk do të lejojmë të ndahet Kosova, as të preken kufijtë e Kosovës, e as toka e territori  i Kosovës. Kush shkon asaj rruge e ka gabim, qoftë vëlla i yni, qoftë tjetër. Miqve u bëjmë thirrje, nuk keni aleatë më të fortë si shqiptarin në Ballkan, jemi properëndimor, euroatlantik, do t’i kryejmë punët e Kosovës’, u shpreh ndër të tjera Haradinaj.