Transmetuar më 10-04-2019, 00:33

Nga Berlini ku gjendet për një vizitë zyrtare, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Aeroportin e Rinasit duke kërcënuar se shteti do të flasë qartë dhe shpejt ndaj koncesionarëve kinezë.

Me këtë paralajmërim të ashpër, zonja Balluku ia ka faturuar kështu të gjithë fajin koncesionarëve kinezë duke mos njohur asnjë përgjegjësi të shtetit e sidomos ministrisë së Brendshme.

“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe e përsëritur për fat të keq. Të gjitha përpjekjet e autoriteteve shtetërore për t’i imponuar kompanisë kineze, që mban në koncesion Aeroportin e Rinasit, investimet e nevojshme në sistemin e sigurisë, nuk janë dëgjuar ashtu si duhet, – shprehet Balluku.

Kurse shton: "Sistemi i sigurisë ka rënë përsëri dhe përsëri grabitësit kanë mundur të hyjnë deri në pistë, duke provuar se në këto kushte aeroporti është i kërcënuar lehtësisht, deri edhe nga akte më të rënda se kaq".

Për ministren Balluku "ky është një alarm, që këtë herë s’duhet të kalojë dhe s’do të kalojë, vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës nga radhët e teknikëve dhe punëtorëve të TIA për sigurinë".

Këtë herë, thotë ajo, shteti duhet dhe do të thotë shumë shpejt një fjalë më shumë.

"Fakti që aeroporti njësoj si të gjithë aeroportet në Evropë, nuk mbrohet e as garantohet në sigurinë e vet nga Policia e Shtetit, po nga sistemi i sigurisë së vetë kompanisë, nuk do të thotë aspak se ne duhet e do të rrimë me duart të lidhura. Aspak. Shteti do të flasë qartë dhe do të veprojë me të gjithë fuqinë e detyrimit për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit", – përfundon Balluku. /noa.al/