Transmetuar më 08-04-2019, 09:21

Mesatarisht, punonjësit me orar të plotë në Bashkimin Europian punuan 38 orë në javë në 2016, sipas të dhënave të janë publikuar sot nga institute europian i statistikave, Eurostat.

Në të gjithë vendet anëtare të BE-së, numri mesatar i orëve të paguara për punonjësit me orar të plotë varionte nga 40 orë në javë, në Slloveni, Kroaci, Hungari, Çeki, Qipro, Maltë dhe Austri, deri në 35 orë në javë në Francë.

Ndonëse punonjësit shqiptarë kanë ndër pagat më të ulëta në Europë, ata punojnë me orë shumë shumë më të gjata sesa homologët e tyre në shtetet e Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave të publikuara nga instituti shqiptar i statistikave, INSTAT, në Shqipëri, orët mesatare të paguara në vit ishin 41.7, sipas të dhënave të fundit të publikuara që i përkasin po 2016-s, ose gati 4 orë më shumë në javë se mesatarja europiane. Në fakt, asnjë vend i Bashkimit Europian nuk punon më shumë se 40 orë në javë.

Për gjithë vitin, punonjësve shqiptarë u paguhen 2173 orë, ose 197 orë në vit më shumë sesa europianët.

Sektori më orë më të gjata pune në Shqipëri është industria nxjerrëse me 2231 orë të paguara në vit ose 43 në javë, i ndjekur nga pasuritë e paluajtshme (2.247)ajo përpunuese (2222). Më të privilegjuarit janë punonjësit e administratës shtetërore, që punojnë më pak se të gjithë, me 2105 orë në vit, ose rreth 40 orë në javë, aq sa është dhe mesatarja e disa vendeve në Bashkimin Europian.

Ndonëse punojnë me orë të gjata, punonjësit shqiptarë nuk shquhen për rendiment në punë dhe as paga të larta.

Shqipëria shënoi nivelin më të ulët të pagës mesatare mujore në rajon, sipas përllogaritjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, shkruan ‘monitor’.

Pagat në Shqipëri nuk janë më shumë se 340 euro në muaj, teksa fqinjët tanë ofrojnë paga shumë të larta. Paga mesatare në Maqedoni, sipas të dhënave, ju afrua 600 eurove në muaj ndërsa në Bosnjë, më shumë se 700 euro.

E matur me fuqinë blerëse, pagat në Shqipëri janë rreth 25% e pagës mesatare në Austri, teksa paga mesatare në Malin e Zi është 54% e mesatares së Austrisë. Shqipëria mbetet shumë prapa në fundin më të ulët të shkallës së pagave. Të gjitha vendet e Ballkanit (përveç Shqipërisë) kanë raportuar nivele më të larta pagash sesa Bullgaria. Pagat në Mal të Zi gjithashtu tejkaluan nivelin e Hungarisë.

FMN thotë se pagat e ulëta janë një avantazh, por mungesa e aftësive në forcën e punës po e pengon vendin të rrisë produktivitetin e punës dhe të rrisë vlerën e prodhimeve.

Sipas një studimi të posaçëm të Bankës Botërore për pagat dhe produktivitetin në rajon më 2018 u raportua se Shqipëria ishte i vetmi vend që shënoi ulje të pagës reale gjatë vitit 2016, ndër 10 vende të Europës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor.