Transmetuar më 01-04-2019, 14:18

Largimi i Cristian Panuçit duket se është harruar në kampin kuqezi, por gjithsesi kombëtarja është e kapluar nga ethet e procesit të zgjedhjes së trajnerit të ri.

Shumë emra përfliten për të marrë postin e drejtuesit, por një prapaskenë u zbulua nga “Panorama” e cila bën kandidat potencial një ish-teknik të Kukësit.

Austriaku Peter Pakult mund të marrë në dorë “timonin” e përfaqësueses kuqezi. Ai ka drejtuar më parë kampionët e Kukësit në futbollin shqiptar.

Austriaku ka pasur një takim me Presidentin Armando Duka dhe duket se nga kërkesat që vetë kreu i federatës ka për trajnerin e Kombëtares, ai i plotëson kriteret.

Nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë vetë trajneri, i cili mund të jetë ofruar për të marrë drejtimin e Kombëtares. Pakult ka qenë në “Loro Boriçi” në mbrëmjen e 22 marsit për të parë nga afër ndeshjen midis Shqipërisë dhe Turqisë dhe ka pasur një bisedë me Dukën.