Transmetuar më 27-03-2019, 19:00

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të mërkurën se në Kuvendin e Kosovës ka dorëzuar kërkesën për mbajtje të një seance të jashtëzakonshme më 3 prill, lidhur me Projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit.

Kuvendi i Kosovës, ditë më parë ka miratuar një rezolutë të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku kërkohet pezullimi i aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit si dhe plotësim/ndryshimi i ligjit përkatës.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga Qeveria që brenda 30 ditëve të sjellë në Kuvend “ligjin e ri që ndalon lojërat e fatit për një periudhë 10 vjeçare”.

Kjo rezolutë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Haradinaj, i cili menjëherë ka kërkuar “inicimin e procedurave të nevojshme brenda ekzekutivit, të cilat do të rezultonin me mbylljen dhe pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit”. Javë më parë është raportuar se dy persona janë vrarë brenda dy kazinove në Kosovë.