Transmetuar më 25-03-2019, 13:57

Pak ditë pas aktit të përgjakshëm në Bazel të Zvicrës, ku një grua e moshuar me probleme mendore vrau 7-vjeçarin nga Kosova, Ilias Mahmutin, duke e therur me thikë në fyt, Bazeli vazhdon të mbetet i tronditur nga ngjarja.

Komisioneri për krime në Bazel, Peter Gill ka bërë të ditur se gruaja ndodhet paraburgim, ndërkaq, masa e cila iu është caktua tre muaj, por, mund të ndryshohet në rast ankimimi. 75-vjeçares gjithashtu po i bëhet vlerësimi psikiatrik.

Pas sulmit me thikë, 75-vjeçarja lajmëroi policinë, ndërkaq, zyra e prokurorisë nuk ka dashur të komentojë rastin në detaje, duke konfirmuar vetëm se ajo kishte njoftuar disa persona dhe institucione për krimin me anë të telefonit, pas sulmit.

Psikiatri i gjykatës Josef Sacsh ndërkaq, nuk ka treguar nëse gruaja e bëri këtë krim vetëm për t’u bërë e famshme, duke thënë se kjo momentalisht mund të mbetet vetëm një spekulim. Por, për të ka edhe dy shpjegime të mundshme, ose e ka bërë nga frika se mund të ndiqet nga autoritetet për shkak të borxheve ose është vrasje e motivuar ideologjikisht, për shkak të motiveve racore shkruan ‘express’.

E dyshuara dyshohet se kishte marrëdhënie të tensionuara me institucionet shtetërore. Ajo kishte borxhe të mëdha dhe kishte nënshkruar falimentimin në vitin 2007.

Gruaja momentalisht është në ekzaminime psikiatrie, ndërkaq, ende nuk dihet se nga cila sëmundje mendore vuan.

Lamtumira e fundit 7-vjeçarit iu dha të shtunën, në varrezat e qytetit në Gjilan.