Transmetuar më 23-03-2019, 15:10

Gjatë ditës së sotme u mbajt Kongresi i Partisë Socialiste.

Avokati Spartak Ngjela ka komentuar këtë ngjarje që u mbajt në sheshin Nënë Tereza.

Ngjela e ka cilësuar Kongresin e socialistëve si Partinë Terroriste të Punës, teksa shprehet se ministrat thonin të gjithë frazën ‘me në krye Edi Ramën’.

"Sapo dëgjova dy apo tre diskutime në Kongresin Socialist. Ishin që të tre ministra hajdutë. Të tre ishin mësuar që të thoshin ‘me në krye Edi Ramën’", shkruan Ngjela.

Sipas avokatit, socialistët ngjajnë me punizmin pasi pretendon se punistët gënjenin për të fshehur terrorin dhe frikën ndaj varfërisë ekstreme, ndërsa socialistët gënjejnë për të fshehur vjedhjen gjigande që iu kanë bërë shqiptarëve.

"Një punizëm i kulluar ky. Ku mund të ketë në një demokraci liberale kult të kryeministrit! Turp.

Njëlloj: i njëjti ritëm, e njëjta retorikë, madje dhe e njëjta emfazë e një entuziazmi agresiv: njëlloj si Partia Terroristë e Punës.

Ata të parët, punistët terroristë, sokëllinin për të fshehur terrorin, frikën dhe varfërinë ekstreme që kishin ndërkallur në Shqipëri; kurse këta socialistë, vjedhës, sokëllijnë me gënjeshtra për të fshehur vjedhjen gjigante që iu kanë bërë shqiptarëve në Shqipëri.

Kjo është arsyeja në ngjashmëri e këtyre me punizmin. Por ta dinë dhe ta besojnë, të gjithë ata shqiptarë të dëshpëruar që po i neverisin sot: këta vjedhës ordinerë nuk do të shpëtojnë dot. Do përgjigjen penalisht dhe do ta dorëzojnë gjënë e vjedhur, që të gjithë.

Njëlloj si edhe ata të tjerët që kanë dalë në rrugë për të shpëtuar historinë e korrupsionit gjigant në Shqipëri, pjesëtarë të të cilit kanë qenë vetë", shkruan Ngjela në llogarinë e tij në Facebook./a.k/noa.al/