Transmetuar më 22-03-2019, 13:46
Foto ilustruese

Një shtetas i huaj i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është vënë në prangat e policisë shqiptare.

Mësohet se gjatë ditës së sotme është arrestuar provizorisht një shtetas indian i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash, me qëllim ekstradimi drejt Indisë.

Interpol Tirana në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rinas arrestuan provizorisht shtetasin indian Hitesh Patel, 59 vjeç, lindur në Indi dhe banues në Nigeri

59-vjeçari u kap në aeroportin e Rinasit në dalje nga territori i Shqipërisë pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol New Delhi/ Indi.

Gjykata Patiala House/New Delhi, ka lëshuar ndaj tij urdhër arresti për veprën penale “Pastrimi i parave”.

Në ngarkim të tij veprimet e mëtejshme do të kryhen nga Zyra e Interpol Tirana.

Mësohet se Patel është kunati i dy vëllezërve indianë, Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, të cilët janë në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash, ndërkohë që veprojnë në fushën e ndërtimit në Shqipëri.

Po ashtu ata kanë arritur të marrin nënshtetësinë shqiptare me firmën e Presidentit Ilir Meta./a.y/noa.al