Transmetuar më 22-03-2019, 13:06

“Filluan shkeljet e ligjit elektoral! Ende pa u hapur zyrtarisht fushata elektorale, Bashkia Tiranë dhe stafi i turbulluar i Lali Erit shkelin me dy këmbë ligjin elektoral”.

Është ky denoncimi i bërë ditën e sotme, nga këshilltari demokrat në Bashkinë e Tiranës, Akil Kraja, nëpërmjet videos që gjeni më poshtë.

Ai thotë se posterat në video janë thirrje për të marrë pjesë në takimin e Partisë Socialiste të datë 23 mars, ku do të prezantohet lista e Këshilltarëve Bashkiak Tiranë.

Duke cituar Kodin Zgjedhor, ai thotë se këto postera e shkelin atë në dy drejtime:

Neni 77

“Fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve”.

Neni 79

-Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore cakton, në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, vendet publike për afishimin e materialeve propagandistike.

– KQZ-ja miraton, me udhëzim të veçantë, kriteret për përzgjedhjen e këtyre vendeve.

-Çdo afishim i materialeve propagandistike jashtë vendeve publike të autorizuara sjell heqjen e tyre nga organet e zbatimit të ligjit, në varësi të njësisë qeverisjes vendore.

Sipas tij, përderisa fushata nuk është hapur zyrtarisht, kjo është një shkelje e hapur e ligjit ndërkohë që vendosja e tyre vend e pa vend, jo vetëm dëmton hapësirën publike duke shëmtuar e dëmtuar fasadat e pallateve të kryeqytetit, por dhe dëshmon sesi Bashkia shkel ligjin që supozohet të zbatojë vetë.

Kraja denoncon më tej, “Pa filluar zgjedhjet, dhe ja sesi pushteti ju rikthye zakonit të vjetër: atë të shkeljes së ligjit elektoral, atë të manipulimit të elektoratit.”

Ai përgëzoi qytetarin që ka zbatuar ligjin duke i hequr posterat e Bashkisë Tiranë, dhe i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të shprehet mbi këtë rast i cili siç thotë ai, konfirmon çdo qëndrim të opozitës, se në situatën aktuale nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. /a.y/noa.al