Transmetuar më 22-03-2019, 10:13

Ferdinand Polia, biznesmeni 32-vjeçar nga Thethi i cili u ekzekutua pasditen e kësaj të mërkure, dyshohet të jetë vrarë për shkak të problemeve të së shkuarës së tij.

Ai kishte tre vjet që ishte kthyer nga emigrimi në Itali, ku ka dhe disa precedentë penalë.

Polia është akuzuar për trafik droge, grabitje dhe shfrytëzim prostitucioni, madje është ndaluar nga policia e shtetit fqinj në vitin 2010, si pjesë e një grupi që shpërndante kokainë, te persona të rëndësishëm, mes tyre dhe politikanë.

Pak muaj pas lirimit ai arriti që të lirohej, por pak muaj më vonë u arrestua sërish me 2 kilogramë kokainë.

Grupi ku bënte pjesë viktima, shiste një gramë kokainë për 80 euro, ndërkohë kur klientet ishin femra dhe nuk kishin mundësi të paguanin, iu kërkohej që të kryenin marrëdhënie seksuale.

Por Ferdinand Polia akuzohet edhe për grabitje, ku në vitin 2010, ai mbeti i plagosur teksa po vidhte në lokal.

Kështu pas shlyerjes së dënimit, në vitin 2015, autoritetet italiane e kthyen në Shqipëri, ku në Theth së bashku me familjen, ndërtoi një bujtinë, e cila rezultoi e suksesshme.

Jo vetëm kaq por ai u emërua administrator i Zonave të Mbrojtura në Parkun Kombëtar të Thethit, pavarësisht të shkuarës problematike në shtetin fqinj.

Edhe nga policia shqiptare ai u procedua penalisht në vitin 2017, për shkak se në zonën e Thethit u zbulua një parcelë me kanabis.

I riu u ekzekutua pasditen e kësaj të mërkure, brenda makinës së tij nga një person me motor. Pas krimit i dyshuari dogji motorin dhe humbi gjurmët. Paraprakisht dyshohet se vrasja ka qenë me pagesë, e porositur nga ish-bashkëpunëtor të Polisë në Itali, kjo për faktin se një person tjetër që ishte me të, nuk pësoi asnjë dëmtim. /a.y/noa.al