Transmetuar më 21-03-2019, 13:21
Saimir Tahiri dhe avokati Maks Haxhia, foto arkiv

Është shtyrë seanca e sotme gjyqësore në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Avokati i tij, Maks Haxhia tha se shkak për shtyrjen është bërë, pasi nuk ishin njoftuar të pandehurit e tjerë, të cilët ndonëse janë në kërkim, procedura e kërkon që të bëhet njoftimi.

Ai bëri me dije se seanca e radhës u la më datë 26 mars, në ora 10.00.

“Do të kërkojmë pafajësi dhe që të vlerësohen gjitha provat, me qëllimin final që Saimir Tahiri është shtetas i pafajshëm që nuk mund të akuzohet për këto vepra. Nëse vazhdon kalvari i zvarritjeve do të bëjmë kërkesë për gjykim të shkurtuar pasi nuk ka asnjë provë që të çojë para përgjegjësisë zotin Tahiri”, u shpreh Tahiri.

Gjykata për Krime të Rënda pritej të mbante sot seancën paraprake gjyqësore, ku Tahiri do të të përballej me akuzat e Prokurorisë, pasi e fundit kërkon marrjen e ish-ministrit si të pandehur.

Ndaj ish-ministrit janë ngritur akuzat e veprave penale “Trafik ndërkombëtar droge” në bashkëpunim, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”.

Mbyllja e hetimeve ndaj ish-ministrit dhe dërgimi i dosjes në gjykatë, u bë pasi më 11 shkurt Gjykata e Krimeve të Rënda, pranoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, për të mos zgjatur hetimet me tre muaj të tjerë.

Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal. /a.y/noa.al