Transmetuar më 21-03-2019, 09:16
Pashk Gjaci para KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, dha sot vendimin lidhur me kryetarin e Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci.

Kryegjyqarit të Përmetit iu komunikua vendimi për shkarkimin nga detyra, duke mos kaluar dot procesin e vetingut.

Vendimi ndaj tij u dha nga trupi gjykues i drejtuar nga Olsi Komici dhe me anëtar Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia.

Shkak për shkarkimin e tij u bënë problemet me pasurinë dhe pamundësia për justifikimin e tyre.

Po ashtu probleme u konstatuan edhe me profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës.

Por pavarësisht argumentimit të gjyqtarit se pasurinë e ka vënë si pasojë e investimeve në pasuri të patundshme, kjo gjë nuk u provua.

Gjaci ka punuar si avokat për afro dhjetë vite, deri në vitin 2010 kur u emërua kryetar i gjykatës së Përmetit, ndërsa të ardhurat e tij të deklaruara vijnë nga puna si avokat, nga paga si gjyqtar, nga paga e bashkëshortes si dhe nga fitimet nga pronat e patundshme. /a.y/noa.al