Transmetuar më 18-03-2019, 08:14

Këngëtari Alban Skënderaj, njihet si këngëtari i baladave, por këtë të diel ka emocionuar pa fund me publikimin e tij të fundit.

“Plagë në gjysmëshpirt”, është kënga e fundit e Albanit e publikuar disa orë më parë.

Në fakt kjo këngë është dedikim për nënën e tij të ndarë nga jeta, por edhe për nënën e Miriamit, e cila gjithashtu e ka humbur nënën.

Për të lançuar këtë këngë, Albani shkruan, “Duhet të pranoj se ky dimër ka qenë i ftohtë si në zemër ashtu dhe në frymëzim për mua. Duke ardhur pranvera e duke çelur lulet e para rritet dhe dëshira për jetën e për të krijuar muzikë me energji pozitive por para se të nis këtë kapitull të ri kam ende një këngë që dua të ndaj me ju. E kam shkruar SAKTËSISHT para 10 vitesh edhe pse ka qenë gjithmonë më shumë e Miriamit se sa e imja si këngë. E kam shkruar menjëherë mbasi nëna e saj e dashur u largua papritur dhe tepër e re nga kjo botë. Unë hodha në vargje e muzikë dhimbjen e Miriamit dhe pse përjetimi ishte i fortë edhe për mua. Nënën e saj e kujtoj si një njeri të jashtëzakonshëm që kujtdo i dhuronte vetëm buzëqeshje dhe mirësi. Miriami nuk ka mundur dot asnjëherë ta këndojë për shkak të emocioneve por ç’është e vërteta të dy, ndoshta gabimisht, kemi menduar që dhimbje të tilla kaq të thella dhe personale nuk ka nevojë të ndahen me publikun por duhen mbajtur për vete dhe me vete. U bëne gati 2 vite që unë kam humbur nënën time tashmë dhe në momente të vështira, kur nuk kam mundur dot të gjej asnjë përgjigje, më shumë se kurrë ndjenjat e mia janë pasqyruar në këto vargje.

Na mungojnë çdo ditë dhe sado koha të kalojë këto plagë nuk do mbyllen kurrë plotësisht. Ne nuk jemi aspak të veçante, nuk kemi imunitet nga dhimbja, jemi njerëz si të gjithë dhe sipas nesh, misioni më i madh i një artisti është të shkruaj këngë që sado pak i bëjnë njerëzit të mos ndihen vetëm, si në gëzimin ashtu edhe në dhimbjen e tyre. Ndaj vendosëm këtë këngë dhe këto ndjenja ti ndajmë me ju”.

Nga ana e saj Miriami shkruan: “Nuk e kam gjetur kurrë forcën në këto 10 vite ti këndoj këto vargje që ti shkëpute nga shpirti im. E kam shumë të vështirë të shkruaj apo të flas për të pa më rrahur zemra çmendurisht fort.Koha shëron çdo plagë thonë… por unë di të them që thjesht vetëm mësohesh të bashkëjetosh me një dhimbje të tillë. Përpiqesh që këtë dashuri që ruan fortë në shpirtin tënd t’a kthesh në forcë dhe motiv.

Nuk do mundem të të falenderoj dot kurrë mjaftueshëm që përjetësove në fjalë e tinguj atë që ndjej për nënën time por tashme edhe ti ndjen për tënden. Na bashkojnë plote gëzime por edhe dhimbja na bën një. Kam 10 vite që e këndoj çdo ditë brenda vetes. E dua me çdo qelizë të trupit tim, e mendoj me çdo frymmëarrje timen dhe e di që një ditë ky gjysmëshpirt do të plotësohet”. /a.y/noa.al