Transmetuar më 17-03-2019, 17:37

I ftuar sot në "Ka një mesazh për ty" tek "E diela shqiptare" ishte Luftari i cili tregoi historinë e tij të dashurisë me Shpresën dhe i bëri asaj një surprizë.

"Unë jetoj në Vlorë dhe gjithë jetën time i kam plotësuar të gjitha ato që kam premtuar. E vetmja gjë që ka mbetur pa u plotësuar është kjo e sotmja. Një ditë teksa po pinim kafe dhe kishim malin përpara dhe i kam thënë e di sa shumë do doja të isha në majën e atij mali dhe të thoja të dua shumë po ta dëgjonin shumë njerëz, por nuk e di se si ta bëj. Ne jemi në një lagje, njihemi që në moshën 13-vjeçare me Shpresën, bashkëshorten time.

Ka qenë edhe e keqe si shoqe lagje, nuk të lejonte të flisje ndryshe, të bëje më shumë muhabet. Unë e ngacmoja, por nuk më lejonte, largohej, ikte. Ajo diferenca më bëri që u ngjita shumë me atë, vinim në plazh. Unë isha 22 ajo 17,  prindërit mundoheshin të më fejonin.

Unë doja të dilja nga situata, ngaqë e dija që Shpresa nuk do pranonte, sepse më thoshte babi më thuaj kë do dhe unë do dërgoj një njeri atje dhe do ta bëjmë për nuse si lajmësi. Unë e dija që Shpresa nuk do pranonte, por edhe po të pranonte mua ma kishte qejfi, e doja shumë Shpresën dhe i thashë: “Unë dua Shpresën! “.

U duk si çudi, sepse familja ishte e vështirë, ishin fanatik, nuk donin. Vajti njeriu që dërguam tek shtëpia, i thanë është një djalë që të kërkon për nuse, por Shpresa nuk pranonte pa i thënë se kush është, jam e vogël. Pas dy ditësh tha më thoni se kush është ky bukuroshi. Kur i thanë që është Luftari tha mirë do mendohem njëherë se i pëlqeu, pastaj pranoi u fejuam.

Unë kam qenë edhe në emigracion në Greqi, prapë fejesa isha shumë në siklet. Ajo e di që unë kisha lidhje më parë, por isha një njeri komplet ndryshe, pa u fejuar lutesha më sill një nuse të mirë, të kem një familje të mirë. Vjehrri kur u fejuam nuk ma linte vajzën ta merrja xhiro, por i thashë se kur të martohem do e marr dhe do iki larg, e thoja si me shaka, por ashtu ndodhi u martuam të dielën dhe të hënën u nisëm për në Greqi. Kur u ndamë dhe do iknim ai më tha atë që the e bëre.

Jetuam në Greqi për gjashtë vite pa u fejuar. Vija njëherë në dy ose në tre vite, pas fejesës njëherë në dy muaj. Shpresës i bëj shumë dhurata dhe shumë ngacmime, lojëra. Në mëngjes nuk zgjohej të pinte kafe me mua, mora dy tepsi dhe i përplasja që të zgjohej. Kohët e fundit ma ka punuar dhe nuk më vjen mirë, sepse jam unë ai që bëj shaka.

Sot kam ardhur të marr hak dhe për premtimin që i bëra që ta dëgjojnë të gjithë do shpreh dashurinë. Ne ngrihemi në mëngjes, mbarojmë punët e shtëpisë bashkë dhe ikim pimë kafe. Jemi tre meshkuj në shtëpi, dy çunat dhe unë dhe i kemi premtuar njëri-tjetrit që mamin do e kemi si mbretëreshë. Unë edhe në telefon e kam të regjistruar Mbretëresha Ime", tregoi Luftari. 

Ardit Gjebrea: Tani me gjithë këtë dashuri që ju rrethon në familjen tuaj. Imagjino çunat të marrin ndonjë nuse që është komplet e kundërta e kësaj, si do ta përballoni ?

Luftari: Është Shpresa e kundërta, ajo nuk e tregon këtë. Unë e tregoj, ndërsa Shpresa po të jetë tek njerëzit e saj ose tek të mitë edhe unë ta marr në telefon t’i them: “Shpresa më do?”,  po më thotë në telefon, ç’a po, atë që the ti po. Nuk e thotë se i vjen zor.

Ardit Gjebrea: Nuk ta thotë unë të dua. Ti ia thua Shpresës, se ke problem.

Luftari: Jo fare. Kur vete në shtëpi më thotë ti e di që unë të dua po pse më detyron ta them në sy të njerëzve, më vjen turp.

Ardit Gjebrea: Ta bëjmë ne sot Shpresën të ulërasi, jo ta thotë.

Gazetarja e rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shkon në qytetin e Vlorës për t’i dhënë mesazhin Shpresës, por ajo nuk ishte shumë e surprizuar nga ardhja e gazetarëve, pasi siç tregon edhe Luftari, shtëpia e tyre është e survejuar nga kamerat e sigurisë dhe ajo e kishte kuptuar ardhjen e tyre dhe direkt kishte dërguar mesazh Luftarit i cili kishte shkuar në Greqi. Fillimisht ishte e sigurtë që ishte ai, por më pas dyshimet kaluan edhe tek njerëzit e saj të afërm.

Ardit Gjebrea: Historitë tuaja nuk kanë fund, ku është burimi i gjithë kësaj dashurie ?

Luftari: Nuk e di, nuk e shpjegoj dot, për mua është bashkëshortja më e mirë në botë, është ajo që unë lutesha, është edhe pak me fat, pasuria ime më e madhe është Shpresa.

Shpresa vjen në studio dhe në ekran shfaqen disa mesazhe nga personazhe të panjohur për të, ndërsa në fund shfaqet Luftari në majën e malit teksa shpreh dashurinë e tij për bashkëshorten.

Në anën tjetër të murit nuk është Luftari, sepse ai ishte i fshehur në një kuti dhuratash pranë saj dhe del për të trembur Shpresën në studio dhe në fund surprizës i bashkohen edhe dy djemtë. Nuk është turp të shprehësh dashurinë, përkundrazi është shenjë qytetarie dhe emancipimi. Sepse gjërat e bukura ndonjëherë i’a vlen ti thuash me zë të lartë, jo si provë bindëse por si mesazh frymëzimi. Luftari sot i ka venë në mendime edhe ata burra me “sedër”. /tvklan.al