Transmetuar më 16-03-2019, 15:08

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, tha pas protestës se aksioni nuk do të ndalet. “Protestat qytetare do të vazhdojnë derisa njeriu përgjegjës për këtë gjendje, të largohet dhe shqiptarët të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, – tha z.Basha.

Ai akuzoi ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj se përdori në mënyrë disproporcionale gazin lotsjellës, kurse vlerësoi se “pa larguar Edi Ramën, Shqipëria nuk do të gjejë paqe”.

Për Bashën, Shqipërinë nuk e destabilizojnë protestat për vlerat europiane. “Shqipërinë e ka destabilizuar krimi dhe qeveria e bërë njësh me të. Kësaj duhet t’i japim fund”, – u shpreh ai, duke theksuar: “Nuk mund të ketë stabilitet pa demokraci dhe pa drejtësi. Kush thotë të kundërtën, rreshtohet në krah të krimit të organizuar dhe nuk ka mirëkuptimin tim”.

Z.Basha si do të vijojë aksioni opozitar?

Derisa njeriu përgjegjës për këtë gjendje të largohet dhe shqiptarët të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme, deri në atë moment ne do të vazhdojmë protestat qytetare kudo ku janë, kjo nuk është lojë me fatet e njerëzve.

Qëndrimet e ndërkombëtarëve kanë qenë që të mos ketë dhunë në protestë, ndërkohë që ka…

Thuajani Sandër Lleshajt këtë. Se ai përdor në mënyrë disproporcionale gazin lotsjellës. Por nuk ka nevojë fare t’ia thuash, sepse ai dhe kupola e policisë drejtohet nga një kupolë të përbërë nga kriminelë të kapur në trafik droge. Ata janë të parët që duhet të shkojnë para drejtësisë, po ku t’i çosh, sepse Donika Prela dhe Arta Marku janë kukullat e këtyre kriminelëve në drejtësi. Prandaj, kjo protestë është jetike për Shqipërinë, për të rikthyer themelin e një shoqërie të drejtë, që është vota e lirë.

Ka akuza të forta z. Basha që ju po përpiqeni të destabilizoni vendin. Si i përgjigjeni?

Shqipërinë e ka destabilizuar krimi dhe kësaj duhet t’i japim fund. Shqipërinë e ka destabilizuar një qeveri e bërë njësh me krimin, që vjedh paratë e shqiptarëve në mes të ditës, që është kapur duke vjedhur votat, siç tregon një fashikull e dosjes 339 apo 184, që s’është hapur akoma. Shqipërinë e destabilizojnë kriminelët që i mbyllin gojën medias, që me para apo me kërcënime apo me breshëri automatiku, sepse më vjen keq që po ta them, sepse je përballë, ti e di kush ia ka mbyllur derën Shqipërisë europiane, kriminelët me Edi Ramës. Pa larguar Edi Ramën, këto dyer do të jenë të mbyllura. Pa larguar Edi Ramën, Shqipëria nuk do të gjejë paqe.

Ndërkombëtarët bëjnë thirrje që të mos ketë akte dhune.

Ku i patë aktet e dhunës?

Kishte në fakt disa protestues të cilët hidhnin gurë.

Pasi hodhën gaz ndaj grave dhe vajzave. Të mos e zvogëlojmë këtë në cic-mic-et e një policie të krimit, që i shërben kriminelëve, më në krye Edi Ramën.

A keni një mesazh në këtë pikë?

Unë kam vetëm një mesazh politik. Shqipëria është e destabilizuar nga krimi. Ne do t’i japim fund këtij destabilizimi dhe deri atëherë do të jemi vazhdimisht me qytetarët dhe në krah të qytetarëve, kudo ku protestojnë, tek Teatri, tek Unaza, në protesta kombëtare. Edi Rama duhet të largohet një orë e më parë. Nuk ka demokraci, nuk ka drejtësi, nuk ka parlament, ka kapje të shtetit nga krimi i organizuar dhe nuk mund të ketë stabilitet pa demokraci dhe pa drejtësi. Kush thotë të kundërtën, me vetëdije apo pa vetëdije, rreshtohet në krah të krimit të organizuar dhe nuk ka mirëkuptimin tim.