Transmetuar më 16-03-2019, 14:21

Protesta e sotme ka precipituar me akte dhune nga një pjesë e protestuesve dhe lëshim “pa doganë” të gazit lotsjellës nga forcat e policisë.

Skenat janë dramatike dhe jemi duke parë se si plot njerëz helmohen nga gazi, një pjesë e mirë e tyre, fëmijë, gra, punonjës të medias në krye të detyrës, kalimtarë dhe punonjës policie.

Kreu demokrat po i prin protestuesve të cilët pasi nisën marshimin dhe u stacionuan qetësisht te Kryeministria, shkuan te Parlamenti ku krejt ndryshe, nisën incidente të dhunshme.

Pamjet janë shqetësuese dhe vazhdimi i tyre nuk po dihet si do të jetë.

Jemi duke përjetuar imazhe që veçse nuk na ndihmojnë.

Protestues që nuk po ndalen, nga njëra anë dhe mjete të rënda policore dhe ushtarake shoqëruar me pafundësi forcash sigurie, gaz lotsjellës, ujëhedhës, etj.

Liderë politikë që ndonëse hapur nuk nxisin dhunë, dukshëm janë duke e mbështetur duke bërë që incidentet të mos ndalen.

Të gjitha këto, sepse palët po qëndrojnë në llogoret e tyre.

Opozita, duke qëndruar stoike me kërkesat e saj që Rama të japë dorëheqjen, të krijohet qeveri transitore dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme.

Rama nga ana tjetër që i mbështetur qartësisht dhe nga ndërkombëtarët, kërkon të vazhdojë mandatin qeverisës deri në vitin 2021.

E gjitha kjo, sepse as Basha dhe as Rama nuk duan të ulen në tryezë.

Në këtë pikë, i takon kryeministrit që të kërkojë zyrtarisht nga opozita që të ulen për dialog.

Arsyet pse duhet Rama që të bëjë ftesën zyrtare, janë të kuptueshme. Është ai që ka mazhorancën qeverisëse, përballë një minorance opozitare, është ai që ka detyrën ligjore dhe morale që të ftojë zyrtarisht opozitën që të ulen dhe të ofrojnë një zgjidhje të pranueshme nga palët.

Historia e këtyre 28 viteve demokraci ka treguar se gjithnjë palët janë ulur në tryezë, por thuajse në të gjitha rastet, duke e shtyrë sa më shumë këtë hap.

Këtë radhë, precipitimi i situatës është i paparashikueshëm.

Populli shqiptar nuk meriton të vuajë sërish.

Ndaj duhet të veprohet sa mos jetë vonë!