Transmetuar më 23-02-2019, 17:25

Shqiptarët mbajnë, sado t’ua rritësh çmimet, paçka se rrogat e tyre mbeten në vendnumëro në shtet dhe më keq akoma po ulen ndjeshëm në sektorin privat.

Enti Rregullator i Ujit po ndizet nga dëshira që të rritet çmimi i ujit të pijshëm për familjet shqiptare, paçka se vetëm ujë i pijshëm nuk është, sa kohë që shumica dërrmuese jona e blen ujin për të pirë dhe gatuar, duke e paguar sa frëngu pulën.

Të jetosh në Tiranë, po bëhet gjithnjë dhe më e vështirë për shumë familje, teksa fatura e ujit po shndërrohet në një armë të fuqishme të shtetit për të “rrasur” aty brenda gjithë çka duan, ujin e pijshëm që nuk e konsumojmë, atë ujë që vjen në çezma pak orë të ditës për nevoja të tjera jo pije, kanalizimet e ujërave të zeza, që Zoti na ruajtë sa pa pikë garancie janë, tarifën e pastrimit që njeh veç rritje, taksën e shkollës, që një Zot e di pse duhet ta paguajmë kur arsimi parauniversitar është falas dhe garantohet nga Kushtetuta.

E si të mos mjaftojnë këto, ERRU po përpiqet të rrisë çmimin e ujit.

Në raportin vjetor të 2018, Enti Rregullator i Ujit vlerëson se në bazë të të ardhurave të familjeve shqiptare, ata mund të përballojnë rritjen e çmimit.

“Niveli prej 5% i shpenzimeve mesatare mujore të një familjeje, përllogaritur nga INSTAT, tregon se ka ende hapësirë për të përballuar rritjen e tarifave”, thuhet në raport.

Nga 1 janari i vitit të kaluar, kujtojmë se tarifat e ujit u rritën me 44% në Tiranë, nga 45 lekë për metër kub, në 65 lekë.

Një vëzhgim i NOA.al me disa qytetarë në Tiranë dhe të tjerë me telefon në Durrës, Elbasan e Shkodër, duke i njohur me këtë vlerësim të ERRU, i irriton së tepërmi, duke reaguar negativisht.

“Si të rritet akoma? Si kështu, mbajmë ne akoma si gomerë ëëë?”, – thotë një 40 vjeçar që mban familjen me pagën modeste të tij dhe gruas e ka në shtëpi fëmijë dhe prindërit e tij me pensione qesharake.

“Po çfarë duan të rrisin këta? Ujin që vjen 2-3 orë në ditë në shtëpi dhe kurrë nuk pihet. Çfarë të rrisin, ujin që kur hap çezmën ca sekonda do shohësh gjithfarë ngjyrash të dyshimta derisa të kthjellohet aq sa me pasë frikë ta përdorësh dhe për të larë zarzavatet? E çfarë duan të rrisin kur paguaj 32 mijë lekë në muaj, nuk u mjaftojnë këto”, – pyet Artani, i cili ka jetuar disa vite emigrant në Greqi.

Ndërsa shton: “Këta, për Zotin, nuk janë në terezi, nuk ua ndjen fare se si arrijmë të mbijetojmë. E rrisin pa pikë përgjegjësie. Dhe duan të futen në BE mos shko larg, po në Greqi, ku fatura e ujit, ashtu si për dritat, të vjen një herë në dy muaj dhe është gjysmë për gjysmë më lirë se këtu ku na ka rënë të jetojmë”, – shprehet burri 40-vjeçar që kujdeset të nxjerrë muajin me 700 mijë lekë të vjetra.

Në vëzhgimin e NOA.al, thuajse të gjithë janë të ngjashëm në mënyrën si e shohin këtë situatë dhe mundësinë për shtrenjtim të mëtejshëm të ujit.

Dhe që të gjithë megjithatë, janë dakord të rritet çmimi, por me një kusht: “Duan ta rrisin, po me, le ta bëjnë, por unë mos blej më ujë me bidonë në market, ta mbush gotën nga çezma?

E sa kohë kjo nuk ndodh sepse uji në rubinete, nuk ofron garanci, ne shqiptarët duhet të përballemi me shtrenjtim të dyfishtë të kostos së jetesës, ashtu si në shumë fusha, edhe tek uji i (pa)pijshëm.

/noa.al/