Transmetuar më 17-02-2019, 15:23

Një bashkëshort i mirë dhe baba i shkëlqyer i tre fëmijëve ka rrëfyer shkurtimisht historinë e jetës së tij, peripecitë që ka kaluar, rritjen e fëmijëve dhe mbi të gjitha momentin e vështirë kur humbi bashkëshorten.

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në emisionin “E diela shqiptare”, z.Hajdar tregoi se aktualisht jeton dhe punon në Kamëz, pasi u largua nga Fushë-Arrëzi kur humbi gruan. Prej 4 muajsh ai u zhvendos aty dhe jeton i vetëm. Mirëpo, për të kujdesen djali i madh dhe nusja e djalit, për të cilën thotë se e do si ta kishte vajzën e tij.

Çdo dy ditë, nusja e djalit i dërgon nga Fushë-Arrëzi ushqime të ndryshme. Për këtë arsye, z.Hajdar, përmes rubrikës “Ka një mesazh për ty”, dëshiron të falenderojë publikisht nusen e djalit për kujdesin që tregon ndaj tij. Në historinë që ai ka ndarë me publikun, tregon edhe momentin e dhimbshëm kur bashkëshortja iu nda nga jeta pasi vuante prej vitesh nga diabeti.

“Unë 21 vjeç ika nga Burreli edhe shkoj në Fushë-Arrëz për punë, sepse fukaralliku, hallet, problemet më çuan atje. I ika nënës dhe babait edhe atje gjeta punë. Pas dy vitesh, në një restorant rastësisht u lidha me një vajzë. I propozova dhe më tha drejtohu në familje. Edhe i shkoj te shtëpia. Familja më priti jashtëzakonisht mirë edhe ma dhanë OK.

U fejova, pastaj nuk zgjatëm shumë, u martuam në ’83. Në krye të vitit më lindi djali i parë. Ndërmarrja më dha shtëpi, një barake pasi u bëra me djalë, edhe aty lindi dhe djali i dytë, edhe i treti. Aty i rrita deri në fillimet e demokracisë. Në demokraci hapa një kioskë, ndërmarrja u shkri. Fillova biznes të vogël me nusen. U rritën fëmijët, blemë pallatin dhe u rehatuam shumë mirë.

Pas disa kohësh nusja kishte probleme me diabetin, me tensionin gati 15 vjet me insulinë. Edhe u përkeqësua vitet e fundit. Fëmijët i nisa jashtë shtetit me dëshirën e nuses për më mirë. Fëmijët nuk ecën shumë mirë. I kapte policia, i kthente, i lëshonte.

Dy fëmijët ishin në Angli pa dokumente. Njëri erdhi kur nusja nuk ishte fort mirë. Kurse i madhi është atje në Angli. Edhe aty u përkeqësua nusja. Iku në një varrim të vajzës së tezes, aty e goditi tensioni dhe ra sipër arkivolit. Në gjendje kome e çuam në spital në Pukë, nga Puka në Tiranë. Jetoi 15 ditë, pas 15 ditësh ndërroi jetë. Aty mërzia filloi. Ka 3 vite që më ka ikur nga jeta dhe djali i madh ishte atje në Angli. Ai u mërzit dhe u kthye”.

Në Fushë-Arrëz tashmë jeton djali i madh Fatjoni me nusen e tij Klodetën dhe dy fëmijët e vegjël, Amelian 7 vjeç dhe Noelin 5 vjeç. Edhe djali i vogël punon polic në Bashkinë e Pukës. Kurse djalin tjetër, z.Hajdar thotë se e ka në Francë. Për shkak edhe të ekonomisë në rënie në Fushë-Arrëz, largimeve të banorëve nga qyteti, z.Hajdar vendosi të shkonte në Kamëz ku dhe filloi punë. Kanë kaluar 4 muaj tashmë dhe duket se është stabilizuar. Por, ai shprehet se vetmia nuk është e lehtë.

“Vendosja që të vij me punë në Kamëz. Falenderoj shumë Presidentin Gjoka. E mora në telefon dhe më dha OK. Hajde tha, sa më shpejt. Edhe më pruri në punë këtu, jam shumë mirë në punë. Unë këtu kam ardhur vetëm. Familjen e kam lënë në Fushë-Arrëz. Nusja e djalit me gjithë burrin dhe dy fëmijët e vegjël në Fushë-Arrëz. Kam dhe djalin tjetër që punon polic në Bashki.

Nusja e djalit bën gjithçka për mua. Një ditë po një ditë jo më nisin ushqimin nga Fushë-Arrëza në Kamëz. Në orën 14:40 është një furgon çdo ditë që vjen nga Fushë-Arrëzi në Tiranë. Paradite e përgatit ushqimin, e paketon dhe te furgoni e çon mbesa. Djali i madh është pa punë për momentin. Punon vetëm djali i vogël. I ndihmon ai, i ndihmoj edhe unë”.

Gazetarja e rubrikës “Ka një mesazh për ty” shkoi në Fushë-Arrëz për t’i dhënë mesazhin Klodetës, nuses së djalit, se për të dhe bashkëshortin e saj është dikush që dëshiron t’i falenderojë publikisht për mbështetjen dhe ndihmesën që i japin. Ata pranuan me kënaqësi, por në momentin që ndodheshin në ambientet e Tv Klan, në dhomën e grimit panë z.Hajdar dhe kuptuan se ishte pikërisht ai që i kishte ftuar.

Megjithatë, në studion e së dielës, Klodeta dhe Fatjoni menduan t’i bënin një surprizë z.Hajdar dhe aty dërguan nipin dhe mbesën e tij. Ky ishte një moment emocionues ku dy fëmijët i shprehën dashurinë gjyshit të tyre. /tvklan/