Transmetuar më 17-02-2019, 11:07

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen solemne, me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë së vendit, të drejtuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj. Në fjalën e tij Haradinaj shprehu konsideratë për atë që e quajti “përvjetori i shënimit të ngjarjes më të madhe të Kosovës dhe popullit të saj.

“Pavarësia jeton në ne dhe me neve dhe për Pavarësinë të gjithë kemi rrëfimin tonë”. Në këtë ditë do të shprehim gjithë falënderimin tonë për të rënët për liri, për miqtë dhe të gjithë ata që ndihmuan rrugëtimin e Kosovës drejt realizimit të aspiratave për liri dhe pavarësi.

Me kujdesin më të madh jemi përballur me të gjitha temat që i kanë dalë para Kosovës, para Qeverisë, dhe njëkohësisht me respektin më të madh për interesin e qytetarëve të vendit.  Ka shumë vendime, shumë ligje, reforma, vendime të mëdha sikurse ishte ushtria, vendimet që lidhen me Trepçën, me resurset tjera ekonomike”, tha kryeministri Haradinaj .

Ai ka thënë se viti 2019 do të jetë viti kur Kosova do t’i përmbyllë të gjitha çështjet e hapura, duke përmendur edhe marrëveshjen finale me Serbinë.

“Në 10 vjetëshin e dytë që kemi hyrë, besoj që është një vit i konsolidimit tonë si shtet dhe i përmbylljes së të gjitha temave të mbetura të hapura në planin rajonal dhe ndërkombëtar, që nënkupton edhe marrëveshje për njohje obligative ligjore me Serbinë në kufijtë ekzistues, njëkohësisht edhe anëtarësim në NATO”, tha Haradinaj.

Pas mbledhjes, kabineti qeveritar ka vazhduar me aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë, fillimisht me ngritjen e flamurit shtetëror në oborrin e Qeverisë, me nderimet të statuja e Presidentit Historik Ibrahim Rugova dhe me nderimin te pllaka përkujtimore për të zhdukurit.

Ndërkohë, për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, këtë të diel FSK-ja do të parakalojë për herë të parë si ushtri. Parakalimi do të bëhet në sheshet kryesore të Prishtinës, duke filluar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te sheshi “Ibrahim Rugova”. Ushtria e Kosovës u formua vitin e kaluar, më 14 dhjetor.