Transmetuar më 16-02-2019, 22:41

Të paktën për 5 orë me radhë kanë bërë qëndresë protestuesit dhe opozita gjatë ditës së sotme përballë kryeministrisë.

Partia Demokratike dënon me forcë sipas saj ushtrimin e dhunës policore ndaj protestuesve.

Në një deklaratë për mediat, PD thotë se rrahja dhe keqtrajtimi i protestuesve prej policisë politike nuk ka për ta shpëtuar dot kryehajdutin Edi Rama dhe pushtetin e tij të blerë me paratë e krimit të organizuar.

"Secili prej anëtarëve të Policisë Politike që, në shkelje të ligjit, po shoqëron, dhunon dhe po ushtron presion ndaj protestuesve, do të mbajë përgjegjësi personale. Ne nuk do ta harrojmë këtë!" thotë selia blu.

PD falenderon çdo qytetar pjesëmarrës në protestë që sipas saj sakrifikoi sot diçka nga vetja për t’i shërbyer misionit madhor të çlirimit të qeverisjes nga një grusht hajdutësh, oligarkësh dhe kriminelësh, që ka marrë peng vendin.

PD thekson se 16 shkurti është fillimi i betejës për çlirimin e vendit nga kryeministri hajdut.

"Fundi i tij është i pakthyeshëm! Shqiptarët treguan sot se, të bashkuar, mund ta mposhtin të keqen! E enjtja është shumë afër" përfundon deklarata e PD-së.

Protesta e opozitës u mbyll gjatë mesditës së sotme, ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha ka paralajmëruar një tjetër të enjten e ardhshme./a.k/noa.al/