Transmetuar më 16-02-2019, 17:27

Të paktën për 5 orë me radhë kanë bërë qëndresë protestuesit dhe opozita gjatë ditës së sotme përballë kryeministrisë.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, duke folur pas protestës nga selia e forcës që drejton, deklaroi për mediat se sot qytetarët i dhanë një mësim të mirë Edi Ramës dhe sipas saj, i bënë të qartë se ai nuk është më kryeministër i vendit.

"Ishte një protestë që rrëzoi Edi Ramën dhe i tregoi bandave dhe krimit të organizuar që e menaxhojnë atë që ai nuk është më Kryeministër i shqiptarëve. Frikacaku Edi Rama sot me 2 mijë karriget e tij në Vlorë kërkonte të bënte anti-mitingun por ishte përgjigjja më e mirë që i dhanë shqiptarët sot nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit". Sot Edi Ramës shqiptarët i treguan edhe njëherë se ti ke ikur zotëri por ke ikur si një frikacak dhe nuk gjen vend ku të fshihesh", u shpreh Kryemadhi.

Sipas Kryemadhit, Rama nuk e mund dot popullin e tij jo me me gazlotësjellës dhe plumba gome por edhe sikur të marrë të gjithë arsenalin bërthamor të Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së.

"Sot Edi Ramës shqiptarët i treguan se mund të përdorë çdo lloj arme por ata nuk i tut dot. Edi Rama tregoi edhe njëherë se është frikacak por është edhe vetëm. Sot Edi Rama mori një mësim shumë të mirë por mësime të tjera e presin akoma më shumë. Nuk ka parë gjë akoma! Jo gazlotësjellës, jo plumba plastikë të përdorë ndaj qytetarëve por sikur dhe gjithë arsenalin bërthamor të Bashkimit Sovjetik dhe të SHBA ta mbledhë kundër popullit të tij ai nuk mund ta mundë dot. Nuk është Edi Rama nga ata burra  që mund dot popullin e tij", u shpreh Kryemadhi./a.k/noa.al/