Transmetuar më 16-02-2019, 15:39

Kryemadhi: 10 vetë që po bëjnë dhunë, po 1300 policë pse nuk i arrestojnë?

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, thotë se protestuesit do të qëndrojnë pa ndërprerje derisa Edi Rama të kthehet në zyrë.

“Edi Rama këtu na ke, po presim të vish dhe do të të rrethojmë e nuk do të lëmë të hysh në zyrë”, – deklaroi zonja Kryemadhi, duke zbuluar kështu planin e opozitës për precipitimin e protestës.

E pyetur nëse ky është një vendim i marrë nga liderët opozitarë, Kryemadhi tha se “ne nuk marrim vendim, ne do të zbatojmë vendimin e popullit” dhe shtoi:

“Sot, nesër, pasnesër, këtu na ka, nuk shpëton. Ne nuk marrim vendim, vendimin e merr populli. Ne zbatojmë dëshirën e popullit. Do të qëndrojmë këtu. I bëj thirrje njerëzve të mos bien pre e provokimit”.

Zonja Kryemadhi shtoi se “sot Edi Rama ka bërë gjenocid me popullin e tij”.

Ajo evidentoi faktin se për mbi 15 herë, mbi protestuesit u hodhën lëndë helmuese luftarake duke shkaktuar dëmtime dhe lëndime në shkallë të ndryshme tek të pranishmit, pjesa më e madhe e tyre, jashtë akteve të dhunës.

“Shikoni se ç’po ndodh. Ne jemi këtu, mbi 10 metra larg gardhit policor. Jemi duke protestuar. Por na hedhin lëndë helmuese luftarake. Për mbi 15 herë. Përse na helmojnë”, – shtroi pyetjen zonja Kryemadhi.

Kurse apeloi: “I bëj thirrje të gjithë ambasadorëve të vijnë të shikojnë se si 100 mijë shqiptarë janë përballur me helmimin që po i bën policia e Edi Ramës”.

Zonja Kryemadhi i kujtoi kryeministrit një tjetër fakt: “Edi Rama e di shumë mirë se po të duam ne e nxjerrim nga zyra e tij për dhjetë minuta”.

Në vijim të qëndrimit të saj, zonja Kryemadhi vlerësoi se rreth dhjetë persona të dhunshëm që gjenden pranë Kryeministrisë, nuk mund të përgjithësojnë dhjetëra mijë protestues, madje sugjeroi se ata persona mund të jenë të organizuar nga krahu policor apo qeveritar.

Në këtë kuadër kryetarja e LSI bëri tjetër apel: “Ne i bëjmë thirrje policisë që të ndalojë dhunuesit, por policia është bashkë me dhunuesit që janë pjesë e tyre. Shikoni sesi këtu janë 1300 policë dhe 10 dhjetë vetë që bëjnë dhunë. Përse nuk i arreston?

/noa.al/