Transmetuar më 16-02-2019, 09:16

Janë rreth 50 mijë mbështetës të opozitës sipas Partisë Demokratike, ata që janë nisur mëngjesin e sotëm drejt Tiranës, për t’iu bashkuar protestës që pritet të arrijë kulmin në orën 11.00 para Kryeministrisë.

Protestuesit e nisur me autobusë nga rrethet drejt Tiranës, kanë zgjedhur pankarta me mesazhe kundër qeverisë.

“Ky është fundi i hajdutëve” është slogani i protestuesve vlonjatë, të nisur me autobusë dhe makina drejt Tiranës. Një mi në çark është simboli për fundin e hajdutëve.

Sipas PD, Durrësi proteston kundër blerjes së zgjedhjeve nga “Rama-Dako-krimi”.

Ndërkohë protestuesit e Shkodrës në pankartën e tyre shkruajnë “Edi Rama ke marrë fund! Po vijnë shkodranët si lumë”.

Protestuesit e nisur nga Elbasani kanë shkruar në pankartën e tyre, “Edi Ramës, populli ia ka prerë biletën në të sëmës”.

Kuksianët dhe tropojanët protestojnë kundër qeverisë që i vjedh me oligarkët dhe për Ardit Gjoklajn, djalin e vrarë në landfillin e Sharrës me origjinë nga Tropoja.

PD tha më herët se nga Shkodra janë nisur 8000 qytetarë, nga Lezha 6800, nga Kukësi 40000, nga Dibra 3500, nga Durrësi 9100, nga Elbasani 7500, nga Berati 3000, nga Fieri 4800, nga Vlora 4500, nga Gjirokastra 2000 dhe nga Korça 4200 qytetarë.

Por ndryshe nga protestat e tjera, kësaj radhe kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi nuk do të mbajnë fjalim.

Ata kanë zgjedhur që të heshtin, ndërkohë që fjalime do të mbajnë vetëm qytetarët që do i bashkohen protestës.

Protestuesit do të rrethojnë Kryeministrinë, ku thuhet se qytetarët do të qëndrojnë pa afat në bulevard.

Sakaq janë rreth 1300 efektivë policie në gatishmëri për mbarëvajtjen e protestës, me synim parandalimin e çdo incidenti.

Mirëpo policia ka refuzuar që protesta të zhvillohet në dy anët e Kryeministrisë, pikërisht tek Piramida dhe në rrugën “Ismail Qemali”. /a.y/noa.al

Zbulohet skenari i protestës së sotme, Basha dhe Kryemadhi nuk do mbajnë fjalë

Të gjithë në këmbë, 1300 efektivë policie në gatishmëri për protestën e opozitës