Transmetuar më 15-02-2019, 19:32

Ish funksionar i lartë policie dhe sot deputet i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu foli sonte në një intervistë televizive, mbi protestën e thirrur për nesër nga opozita.

Duke përdorur tone fyese për pjesëmarrjen e njerëzve në demonstratë, z.Ndreu vlerësoi se protestuesit do të vijnë në Tiranë të shtunën, do të rrinë ca dhe do të hanë nga një sufllaqe, dikush ndoshta do hajë dhe peshk po ka lekë dhe pastaj do ikin në shtëpi, – u shpreh z.Ndreu.

Frika se mund të ketë trazira në protestën e thirrur nga opozita, ka bërë që policia e shtetit të kalojë të gatishmëri të plotë. Mbi 1500 efektiv janë caktuar për të ruajtur mbarëvajtjen e protestës, ndërsa kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka urdhëruar vartësit në rrethe të skedojnë tubuesit me rekorde kriminale.

Zyra për shtyp e Policisë së Shtetit, tha se, nuk do të lejojë bllokimin apo kufizimin e  rrugës “Ismail Qemali” për protestën e opozitës, duke e konsideruar jetike lëvizjen pa u penguar të misioneve diplomatike, si edhe të disa institucione të rëndësishme shtetërore.

“Por autoritetet e policisë kanë mundësuar mjedise të mjaftueshme si Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, i cili është shfrytëzuar historikisht për qëllime të tilla dhe që ofron hapësira të mjaftueshme edhe për pjesëmarrje masive”, thuhet në njoftimin për media.

Policia e Shtetit sqaron gjithashtu se ka administruar edhe informacione se persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike.

Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka nxjerrë një udhëzim të veçantë për të 12 drejtoritë e qarqeve policore, duke iu kërkuar, komisariateve të evidentojnë personat e dhunshëm, apo me rekorde kriminale. Ata do të monitorohen gjatë protestës nga agjentë civilë qe do të infiltrohen brenda protestuesve. Autobusët që do të vijë me protestues nuk do të lejohen të futen në qytetin e Tiranës.

Ata që vijnë nga ana veriore do stacionohen pranë Pallatit të Sporteve “Asllan Rusi” ndërsa nga ana juglindore tek Fakulteti Ekonomik. Ndërkohë, kufizim  të automjeteve do të ketë, nga  nga kryqëzimi i rrugës “ Myslym Shyri” deri tek sheshi “Nënë Tereza”, si edhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës “Sami Frashëri” deri tek rruga e “Elbasanit”.