Transmetuar më 15-02-2019, 19:00

Nesër opozita do të zhvillojë protestën para Kryeministrisë kundër qeverisë Rama, ndërsa policia e shtetit ka marrë masat për mbarëvajtjen e tubimit dhe shmangien e incidenteve.

Mësohet se në gatishmëri nesër do të jenë 1300 forca policie. Efektivët e komisariateve të Policisë së Tiranës, por edhe FNSH e RENEA do të jenë në gatishmëri të plotë.

Forcat e policisë do të jenë të vendosur rreth Kryeministrisë por edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit. Gjithashtu përmes një deklarate të para tre ditëve policia e Tiranës njoftoi se do të ushtrojë kontrolle për të ndaluar personat me precedent penal që të marrin pjesë në tubim.

"Përveç deklaratave dhe retorikës së ndezur politike dhe thirrjeve për dhunë, të artikuluara nga disa përfaqësues të politikës dhe medias, Policia e Shtetit ka administruar edhe informacione se persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike", sqaron policia në njoftim.

Ndaj deklaratave të policisë reagoi Gazmend Bardhi sipas të cilit i vetmi person i dhunshëm është Edi Rama.

“Thirrjet e policisë që ne të distancohemi nga ata që inkurajojnë dhunë apo nga personat me rekorde të rënda kriminale janë sa qesharake, aq edhe kriminale”, tha Bardhi.

Në deklaratën për mediat, ai u shpreh se asnjë nga rrugët në Tiranë nuk është më e rëndësishme se hapja e rrugës për të ardhmen.

Madje ai thekson se protesta nuk mund të bllokohet, aq më pak siç u shpreh Bardhi, nga një polici e keqpërdorur nga një Kryeministër frikacak./b.l/noa.al/