Transmetuar më 15-02-2019, 10:11

Ish-Kryeministri Sali Berisha reagon lidhur me kontrollet e befta të ushtruara nga policia mëngjesin e sotëm, ndaj gjyqtarëve që shpëtuan nga burgimi i përjetshëm Dritan Dajtit.

Ai e cilëson gjithçka si qesharake dhe për këtë bën edhe një koment.

“Qesharake! Miq, Rama dy javë pasi i hoqi katër dënimet me vdekje mikut të tij, vrasësit serial Dritan Dajti, dërgoi sot herët në mëngjes forcat speciale për të kontrolluar vrasësit serial të togave të zeza që zbatuan urdhrat e tij!”, shkruan Berisha.

Në banesat e tre gjyqtarëve që dhanë dënimin me 25 vite burg, duke pranuar gjykimin e shkurtuar ndaj Dritan Dajtit, mëngjesin e kësaj të premteje shkuan për kontroll të beftë forcat speciale të policisë.

Vendimi për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin u dha të premten e kaluar, nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Gjatë këtij vendimi u votua pjesërisht kundër nga dy gjyqtarët e Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.

Ndërsa për uljen e dënimit të tij janë shprehur në favor tre anëtarët e tjerë Skënder Damiani, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla, në banesat e të cilëve është ushtruar edhe kontrolli.

Më 23 korrik 2014, Dritan Dajti u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e oficerëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani në gusht të vitit 2009. /a.y/noa.al

Shpëtuan Dritan Dajtin nga burgimi përjetshëm, kontroll blitz në banesat e gjyqtarëve