Transmetuar më 15-02-2019, 07:33

Konferenca për Sigurinë në Mynih, e zhvilluar së fundmi, ka dalë edhe me një raport për gjendjen e sigurisë, jo vetëm në Europë por edhe më gjerë. Një vëmendje të veçantë në këtë raport merr edhe Ballkani Perëndimor, si kandidat për t`iu bashkuar unionit.

Mes rreshtave të raportit, thuhet edhe se, anëtarësimi i të gjashtë vendeve në Bashkimin Europian nuk është aspak një siguri, sidomos në këto kohë, kur zgjerimi nuk është i pashmangshëm dhe se palët nuk janë të bindura për të, sidomos Brukseli.

Ndërhyrja e dy fuqive si Rusia dhe Kina në rajon shihet si një çështje me shqetësim të madh për sigurinë e rajonit dhe të Bashkimit Europian. Sipas ekspertëve dhe politikëbërësve gjermanë, Kina po e shfrytëzon më së miri Ballkanin për të përfituar politikisht, ndërkohë që Rusia ka ndërhyrë së tepërmi në rajon, së fundmi duke tentuar të minojë marrëveshjen e Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Sa i përket investimeve kineze në rajon, Shqipëria duket të jetë ajo më e “pastra”, pasi mes 5 vendeve të iniciativës 16+1 ( ku përjashtohet Kosova ), është e vetmja që nuk ka qoftë edhe një investim të vetëm nga Kina në infrastrukturë përgjatë viteve 2013-2018.

Në të gjitha shtetet e tjera të rajonit Kina ka kryer investime të mëdha në sektor, nga 796 milionë euro në rastin e Malit të Zi, deri në 2.8 miliardë euro në rastin e Bosnje Hercegovinës. Siç e tregon qartë edhe grafiku, prezenca e Kinës me investime në rajon është e lartë, më përjashtim të Shqipërisë, që është një rast i rrallë.

Por, ndërkohë që mosprania e investimeve kineze në vendin tonë mund të shihet si një lëvizje gjeopolitike, të dhënat tregojnë se, as investimet nga Bashkimi Europian nuk janë të larta gjatë kësaj periudhe kohore, përkundrazi, vetëm 363 milionë euro, rreth 20 milionë euro më shumë se Mali i zi që është në vend të fundit, transmeton ‘scan’.

Pra, investimet e munguara nga Kina nuk janë zëvendësuar aspak nga partnerët strategjikë të Bashkimit Europian, duke bërë që vendi ynë të thellojë ndjeshëm hendekun në infrastrukturë që ka, jo vetëm me Europën, pro tanimë me të gjithë fqinjët rajonalë.