Transmetuar më 14-02-2019, 21:26

“Fiks Fare” denoncoi të enjten në mbrëmje një skandal në sistemin gjyqësor, teksa në Apelin e Vlorës vendimet jepen pa përfunduar gjyqi! Një rast i tillë i ka ndodhur qytetarit Llogora Xhebroj, nga Orikumi. Ai thotë se, para pak kohësh ka bërë një kontratë paraprake për shitjen e banesës në Orikum, me një qytetar nga Fieri.

Kontrata parashikonte që Llogoraji të legalizonte dhe hipotekonte shtëpinë. Në momentin kur t’i kishte përfunduar do të lidhte kontratën përfundimtare me qytetarin. Personi që do të blinte shtëpinë i ka dhënë një kapar prej 20 mijë eurosh. Nëse Llogoraji tërhiqej, do t’i jepte dyfishin; 40 mijë euro.

Për disa muaj është marrë me letrat e shtëpisë, ku ka nxjerrë hipotekën dhe në këtë moment ka kontaktuar me blerësin. Por, blerësi i bëri një padi në gjykatë, ku kërkonte mbrapsht lekët e kaparit, plus penalitetet.

Procesi fillon në Shkallë të Parë dhe në Apel. Llogoraji thotë se, edhe sot e kësaj dite është dakord që blerësi të marrë shtëpinë sipas kontratës, ose ai është dakord që t’i kthejë 20 mijë eurot që ka marrë kapar.

Në Gjykatën e Apelit janë zhvilluar disa seanca dhe, në datën 29 janar 2019, Llogoraji nuk shkoi në gjyq. Bashkëshortja e tij dorëzon një raport mjekësor dhe gjyqi shtyhet. Në fillim të muajit shkurt, Llogoraji shkon në Gjykatën e Apelit dhe kërkon një vendim të hershëm të Shkallës së Parë.

Merr dosjen nga sekretarja dhe shikon një vendim, i datës 29 janar 2019, i 3 gjyqtarëve të Apelit. Vendimi kishte numër regjistri themeltar. Mungonin vetëm firmat. Qytetari e fotokopjon. Ai thotë se procesi është bërë fals dhe gjithçka ka qenë e paramenduar. Madje, vendimi është bërë kohë më parë.

“Procesi ende nuk ka përfunduar, ndërkohë që unë kam vendimin në dorë. Nëse do të kisha shkuar në seancën e datës 29, do të më jepnin vendimin në dorë me 3 rreshta. Gjyqi është bërë fals, si në Gjykatën e Shkallës së Parë, ashtu dhe në Apel”, thotë qytetari.

Ai shkon më pas në Gjykatën e Apelit, ku takon fillimisht rojen dhe kryesekretaren. Roja i thotë se kishte ardhur, madje edhe kishte fotokopjuar pjesë nga dosja. Ndërkohë, të njëjtin fakt i thotë edhe sekretarja. Por, kur i tregon vendimin, ajo i thotë se ku e ka marrë atë vendim, kush person ia ka dhënë.

Qytetari i përgjigjet “një sekretare”, por që nuk ia mbante mend emrin. Më pas, sekretarja i thotë se do ta verifikonte. Pas sorollatjeve të shumta, Llogoraji takon edhe sekretaren e gjyqtarit. Ajo i thotë se nuk e mban mend t’ia ketë dhënë, por do ta verifikonte.

Pas përpjekjeve të shumta, qytetari takon edhe kryetarin e trupit gjykues, Hysen Saliko. Gjyqtari e pranon që vendimi që ka në dorë qytetari janë shënimet e tij. Pra, ka marrë vendim pa mbaruar gjyqi.

“Do të shkojë në burg ai që ta ka dhënë”, i thotë gjyqtari Llogorajit, ndërsa i përsërit disa herë që në seancën e nesërme do të jetë një tjetër trup gjykues. Qytetari i kërkon vendimin, por gjyqtari nuk ia jep, duke i thënë se “është i imi”.

Ndërkohë, “Fiks Fare” ndjek edhe procesin e datës 13 shkurt 2019. Tre gjyqtarët që kishin bërë vendimin pa mbaruar gjyqi kanë dhënë dorëheqjen. Gjyqi bëhet me një tjetër trup gjykues, por nuk zhvillohet për shkak se një anëtar i trupit gjykues mungonte.

***

GJYKATA E APELIT VLORË

Qytetari – Kam ardhur në datën 1 (shkurt) dhe kërkova një vendim të pushuar dhe s’më ke dhënë atë procesverbalin. Dhe më ke thënë të vij të hënën në datën 4.

Kryesekretarja – Erdhë të hënën në datën 4.

Qytetari – Dhe më është dhënë ky vendimi.

Kryesekretarja – Dhe të duhet ky vendim?

Qytetari – Po, me firmë dhe me vulë. Dhe ky vendim është dhënë kështu.

Kryesekretarja – Kush ta dha këtë vendim?

Qytetari – Ju ma keni dhënë, te sekretaria nga ana tjetër.

Kryesekretarja – Nuk ka shanse ta kem dhënë unë këtë vendim.

Qytetari – Zonja që i the ti të japë vendimin.

Kryesekretarja – Zonja, jo unë?!

Qytetari – Bashkë ishit. Kërkesën e bëra te ju.

Kryesekretarja – Ore zotëri, këtë vendim kush ta ka dhënë, ma sqaro. Këtë?

Qytetari – Kërkesën e bëra…

Kryesekretarja – Kërkesën e di ku e bërë, kërkesën.

Qytetari – Po.

Kryesekretarja – Këtë kush ta dha?

Qytetari – Ma dhanë andej nga prapa.

Kryesekretarja – Ta dhanë andej nga prapa?

Qytetari – Po.

Kryesekretarja – Kush ishte ajo nga prapa që ta dha këtë?

Qytetari – Po, emria s’ia di.

Kryesekretarja – Po kështu si ishte?

Qytetari – E dobët. Seanca nuk është zhvilluar, palët nuk janë dëgjuar, në të njëjtën kohë vendimi ka qenë në dosje, i parapërgatitur.

Kryesekretarja – Ky?

Qytetari – Po.

Kryesekretarja – Do interesohem unë dhe do të kthej përgjigje, më jep një numër telefoni. Vazhdo se pyes vetë tani, do vish një ditë tjetër.

Bisedë me punonjësin e gjykatës

Qytetari – Bona bëri?

Punonjësi – E fotokopjoi a ça bëri.

Qytetari – E fotokopje, emrin e asaj vajzës se mban mënd?

Punonjësi – Po Ina e fotokopoi ato …

Shkon të takojë sekretaren e seancës

Qytetari – A jeni Nila?

Sekretarja e seancës – Po unë jam.

Qytetari – Ti ma ke fotokopjuar këtë dokumentin ditën e premte dhe erdha të hënën për të kërkuar kopjen e dosjes. Dhe më dhe dokumentin po s’më ke dhënë atë vulën.

Sekretarja e seancës – Ça vule?

Qytetari – Më duhet me vulë vendimi poshtë.

Sekretarja e seancës – S’të kam dhënë asnjë gjë.

Qytetari – Ti ma ke dhënë moj vajzë, se isha poshtë. Nga prapa. Më prure dosjen në tavolinë, palosa vendimin dhe bëra kopje.

Sekretarja e seancës – Zotëri, prisni atje se unë jam në gjyq! Sekretarja gjyqësore nuk ka vulë.

Qytetari – Po mirë, ka dalë këtej ky dokument?

Sekretarja e seancës – Nuk e di, do e verifikojmë.

Shkon sërish te kryesekretarja

Qytetari – Vajta e takova sekretaren lart.

Kryesekretarja – Kë?

Qytetari – Nilën.

Kryesekretarja – Po si do të hedhi firmën Nila.

Qytetari – Po tani, përderisa e ka dhënë atë dokument, nuk ka ndonjë problem të hidhet firma.

Kryesekretarja – Ore vendimin kush ta dha?

Qytetari – Nila.

Kryesekretarja – Tani e vërtetove që ishte ajo?

Qytetari – Po unë nuk i njoh njerëzit …

Kryesekretarja – Hajt, hajt s’ka problem.

Pas 90 minutash

Qytetari – Unë po pres një përgjigje.

Kryesekretarja – Për kë?

Qytetari – Për atë procesverbalin që dorëzova.

Kryesekretarja – Si të thash?! Të thashë që lër një numër telefoni se do ta verifikoj dhe pastaj të kthej përgjigje.

Qytetari – jam në gjyq moj grua nesër.

Kryesekretarja – Po le të jesh. Nesër në gjyq do të thuash, ajo zonja poshtë s’më ktheu përgjigje. Të thash si. S’e merr sot përgjigjen, unë të thashë që qëparë, ta shpjegova.

Qytetari – Në rregull.

TAKIMI ME GJYQTARIN HYSEN SALIKO

Qytetari – Si jeni mirë? Doja t’ju pyesja që kam një seancë.

Gjyqtari Hysen Saliko – Po.

Qytetari – Dhe në të njëjtën kohë kanë dhënë një vendim të parakohshëm.

Gjyqtari Hysen Saliko – Ça ke mo?

Qytetari – Vendimin! Si do vejë, të paraqitem unë në seancë?

Gjyqtari Hysen Saliko – Ti do të paraqitesh me …

Qytetari – Ma dha sekretarja poshtë.

Gjyqtari Hysen Saliko – Cila sekretare?

Qytetari – Ajo Nila.

Gjyqtari Hysen Saliko – Nila ta dha?

Qytetari – Po.

Sekretarja – S’kam dhënë asnjë…

Gjyqtari Hysen Saliko – Kjo?

Qytetari – Po, po, Nila.

Sekretarja – Jo, s’kam dhënë. Mund të shikohen kamerat.

Qytetari – Ti ma ke dhënë dosjen, më vjen keq. Ti ma ka dhenë dosjen dhe unë dua të di të paraqitem nesër në seancë gjyqësore?

Gjyqtari Hysen Saliko – Do paraqitesh se do ta zhvilloj një trup gjyqësor tjetër.

Qytetari – Do paraqitem nesër?

Gjyqtari Hysen Saliko – Po, patjetër.

Qytetari – Se kam (vendimin e zbardhur).

Gjyqtari Hysen Saliko – Do paraqitesh se do ta zhvilloj një trup gjykues tjetër.

Qytetari – Po ky vendim është…

Gjyqtari Hysen Saliko – Po ky s’është vendim, është ajo që mbaj unë shënime, të përgatitem.

Qytetari – Me këtë numër?

Gjyqtari Hysen Saliko – S’është vendim.

Qytetari – S’është i paramenduar?

Gjyqtari Hysen Saliko – S’është paramendues asgjë. Nesër do ta gjykojë një trup gjykues tjetër. Dhe ti megjithë këtë sekretaren që ke marrë këto shënime, do mbani një lloj përgjegjësie.

Qytetari – Përgjegjësinë e ka zonja, unë kam kërkuar një kopje. Një kopje të vendimin.

Gjyqtari Hysen Saliko – Kjo s’ka lidhje me kërkesën.

Qytetari – Zotëri, aty është emri im. Unë kam kërkuar një kopje të shkallës së parë të lëshuar. E kupton?

Gjyqtari Hysen Saliko – Nesër gjyqi do zhvillohet me një trup gjyqësor tjetër. Do hidhet në short.

Qytetari – Po.

Gjyqtari Hysen Saliko – Do filloj, do bëhet. Se mund t’i bjerë ndonjë gjyqtari që s’është. Po ti duhet të jesh këtu.

Qytetari – Të shtyhet seanca?

Gjyqtari Hysen Saliko – Trupi gjykues do jetë tjetër, jo ne! Dakort?

Qytetari – Dakort.

Gjyqtari Hysen Saliko – Hajt! Kjo (vendimi) është timja!

Qytetari – Po atë kam.

Gjyqtari Hysen Saliko – Po është timja, s’kam vendim.

Qytetari – Po s’është tëndja, është imja zotëri!

Gjyqtari Hysen Saliko – Po s’është tëndja, se janë shënimet e mia.

Qytetari – Është timja s’e ma ka dhënë zonja.

Gjyqtari Hysen Saliko – Po ta ka dhënë zonja do vejë në burg ajo, po ta ka dhënë këtë. Në rregull, dil jashtë!

Qytetari – Ai vendimi më përket mua, se s’kam tjetër.

Gjyqtari Hysen Saliko – Po s’ke, ça vendimi i shkallës së parë thua ti?

Qytetari – Po jo, këtë vendim që më është dhënë.

Gjyqtari Hysen Saliko – Po s’është vendim, gjyqi do bëhet nesër.

Qytetari – Më falni, po ai është i paramenduar. Është në shkelje flagrante të ligjit.

Gjyqtari Hysen Saliko – Ore ti, nesër do bëhet gjyqi, do ta bëj një trup gjyqësore tjetër. Treshja tjetër, jo ata që kanë qenë. Do bëhet gjyq, do fillojë nga fillimi.

Qytetari – Për atë të ma kishe dhënë, do kishe bërë mirë.

Gjyqtari Hysen Saliko – Do vish me gjithë E. këtu.

Sekretarja – Ta thashë, janë shënimet personale të gjyqtarit. Vazhdojnë gjyqet.

Qytetari – Zonjë, ai është vendim i paramenduar.

Gjyqtari Hysen Saliko – S’është i paramenduar, se nuk është dhënë ai vendim aty. Ik, kaq po të them unë ty. Dhe merr E., dhe hajde çik këtu.

Qytetari – Faleminderit.