Transmetuar më 14-02-2019, 18:43

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me ndryshimin e vendit që policia bëri në përgjigje të kërkesë së opozitës për të protestuar në 16 shkurt.

Sipas PD-së, policia është e diktuar nga urdhrat e Edi Ramës, por kjo nuk do të ndikojë aspak në zhvillimin e tubimit.

Në përputhje me Ligjin për Tubimet, Partia Demokratike ka njoftuar Policinë e Shtetit për zhvillimin e tubimit më datë 16 Shkurt 2019, ora 11.00, në sheshet dhe vendkalimet publike “Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Sheshi përpara Kryeministrisë, Lulishtja tek Piramida dhe Rruga Ismail Qemali”.

Policia e Shtetit, ka njoftuar ndryshimin e vendit të protestës, duke mos lejuar zhvillimin e saj edhe tek “Lulishtja tek Piramida dhe Rruga “Ismail Qemali”.

PD thotë se Policia po vepron në kundërshtim me ligjin dhe për arsye politike dhe shton se sipas ligjit, Policia nuk ka asnjë autoritet ligjor për të vendosur vendin e zhvillimit të protestës.

“Partia Demokratike nuk pret leje nga Policia e Shtetit për zhvillimin e tubimit, sepse ajo është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe qytetarëve. Kjo është arsyeja se përse ligji parashikon njoftimin e Policisë dhe jo kërkesën për leje”, – sqaron PD.

Sipas saj, Policia e Shtetit po vepron nën urdhrat politikë të Edi Ramës, i cili, i frikësuar nga bashkimi popullor, po ndjen vetminë e tij politike.

Duke garantuar qytetarët për protestën e 16 Shkurtit, Partia Demokratike thotë se ka marrë të gjitha masat për sigurinë e protestuesve dhe ushtrimin prej tyre në mënyrë të ligjshme dhe pa asnjë pengesë”.

Ndërkohë, prej ditësh, kryedemokrati Basha ka zhvilluar takime në qytete të ndryshme për të ftuar shqiptarët të bëhen pjesë e protestës. /k.k/noa.al/

Protesta e 16 shkurtit, Policia refuzon kërkesën e PD-së për të dalë në shesh