Transmetuar më 14-02-2019, 12:01

Ish-Kryeministri Sali Berisha, i është përgjigjur interesit të mediave, lidhur me situatën e krijuar në seancën e sotme parlamentare, ku deputeti demokrat Edi Paloka, hodhi bojë ndaj Kryeministrit Edi Rama.

Berisha tha se ky veprim erdhi pasi Rama përdori fjalë fyese dhe se hedhja e bojës ishte e merituar.

Por i pyetur nëse Paloka e hodhi bojën me shiringë ai tha se “Ku e di ti mori bojë apo ishte stilografi?! Ai mund të kishte një stilograf me vete”.

Nga ana e saj kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi tha se Kryeministri nuk e ka problem t’i tallë shqiptarët çdo ditë e më shumë.

“Vjen një moment ku të gjithë jemi njerëzorë, të gjithë kemi momentet tona të emocioneve, por e disata herë që ky kryeministër rrugaç ka bullizuar shqiptarët në radhë të parë duke  i konsideruar  me organet gjenitale. Më pas vazhdon dhe bullizon pafundësisht deputetët në Parlament.  Vazhdon dhe bullizon (tall, fyen) dhe anëtarët e Partisë Socialiste, vazhdon dhe bullizon dhe ministrat e tij. Ka pasur Shqipëria në 27 vite tranzicion kryeministra, por kurrë nuk kemi pasur kryeministër qesharak, kryeministër që krijon incidente të tilla, papërgjegjshmëri dhe mbi të gjitha një defiçence mendore, e cila për hir të së vërtetës duhet ti bëjmë një propozim Parlamentit, por ndoshta dhe shqiptarët vetë, që të gjithë ata që marrin poste drejtuese, qofshin këto që nga Presidenti dhe deri te ministrat e qeverisë, duhet të bëjnë analizën psikike dhe klinike, të çdo drejtuesi, i cili ka një post shtetëror, që nuk përfaqëson vetveten e tij, por përfaqëson qytetarët”, u shpreh Kryemadhi.

Lidhur me protestën e së shtunës tha se ajo ç’ka ka propozuar opozita në marrëveshjen e saj është qeveri tranzitore ose kalimtare, e cila iu krijon shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe hap rrugën e negociatave.

“I vetmi njeri që e mban mend sot Shqipërinë është Edi Rama. Dhe mendoj që shqiptarët sot më shumë se kurrë u ka ardhur në majë të hundës me varfërinë që ka pllakosur, me shkeljen e çdo të drejte të tyre. Dhe mendoj që data 16 shkurt do të jetë fundi i kësaj tiranie psikologjike, ekonomike, politike edhe fizike të shqiptarëve”, deklaroi Kryemadhi. /a.y/noa.al

|FOTO |VIDEO- PD sqaron pse Paloka i hodhi bojë në fytyrë Ramës

Paloka i hedh bojë Ramës, Ruçi e përjashton nga seanca dhe mbledh Byronë

Paloka i hedh bojë Ramës, Ruçi përjashton nga seanca

Boja ndaj Ramës, Garda e Republikës: Procedim ndaj Palokës