Transmetuar më 13-02-2019, 16:17

Një 62-vjeçar italian i dënuar me 7 vite burgim pasi tentoi të vidhte një bankë me dokumente të falsifikuara është ekstraduar nga Roma e Italisë.

62 vjeçari me iniciale B.P, banues në Pontinia, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Elbasanit më 23 korrik 2015, e ka dënuar për "vjedhje të bankave dhe arkave të kursimit", dhe falsifikim dokumentesh.

Ngjarja për të cilën akuzohet 62-vjeçari ka ndodhur në vitin 2012 në filialin e një banke të nivelit të dytë në Elbasan.

Shtetasi B.P, ka paraqitur një vërtetim bankar të falsifikuar me një shumë të konsiderueshme në euro në llogarinë e tij.

Ai donte të tërhiqte 300 milionë euro që sipas italianit, ishin depozituar në llogarinë e tij në Itali, pranë së njëjtës bankë.

Drejtori i filialit të bankës së nivelit të dytë në Elbasan, në atë kohë kishte paraqitur një padi pranë autoriteteve vendase dhe nga hetimet e nisura menjëherë u zbulua se shtetasi italian në të vërtetë kishte në llogarinë e tij bankare vetëm 50 mijë euro.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë./b.l/noa.al/