Transmetuar më 13-02-2019, 14:37
Foto ilustruese

Një ditë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me antimafian italiane publikuan rezultatet e operacionit “Lulet e pranverës”, gjatë së cilit u arrestuan 21 shqiptarë si pjesë e katër grupeve kriminale, një tjetër goditje vjen nga shteti fqinj.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, e mërkurë, policia e Perugia kurorëzoi operacionin e koduar “Random”, duke sekuestruar 1.5 kilogramë kokainë dhe 20 mijë euro.

Kokaina e sekuestruar kap një vlerë tregu prej 150 mijë euro.

Grupi kriminal ishte i përbërë nga 11 shqiptarë, ku tre prej tyre rezultojnë të jenë kthyer në Shqipëri.

Hetimet lidhur me aktivitetin kriminal kanë nisur qysh në muajt e parë të vitit 3018.

Anëtarët e këtij grupi, janë shqiptarë me moshë nga 20 deri në 60 vjeç, të cilët qëndrojnë në shtetin fqinj për tre muaj dhe më pas kthehen në vendin e tyre, duke respektuar rregullat e Schengen, por që gjatë kësaj kohe merren me trafikimin e drogës.

Shqiptarët bënin shpërndarjen e lëndës narkotike, duke e shërbyer edhe në shtëpi.

Nga shqiptarët, pesë u arrestuan në kushtet e flagrancës, ndërsa njëri ndodhet në burg, teksa vijon puna për kapjen e të dyshuarve të tjerë. /a.y/noa.al

“Lulet e pranverës” bëjnë gjëmën me arrestime në Shqipëri dhe Itali, dalin emrat