Transmetuar më 12-02-2019, 16:14

Partia Demokratike i është përgjigjur deklaratave të policisë e cila bëri thirrje të mos përdoret retorikë që nxit dhunën për protestën e opozitës të planifikuar më 16 shkurt.

Në një dalje për mediat nga selia e PD, Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se Rama i rrethuar nga zhgënjimi po përhap panik nëpërmjet policisë për protestën e 16 shkurtit duke planifikuar një skenar kriminal.

“Në një përpjekje të mjeruar, i rrethuar nga zhgënjimi dhe zemërimi i shqiptarëve, Edi Rama i vetmuar shfaqi sot gjithë pasigurinë e tij, kur urdhëroi policinë e Shtetit të përhapë panik lidhur me protestën e 16 shkurtit. Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal”, tha Bardhi.

Ai theksoi se PD garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në protestën e 16 shkurtit, ndërsa shtoi se Rama ka vetëm një detyrë, t’i hapë rrugë zgjidhjes politike. “Ai nuk mund të qeverisë më me mandate të vjedhura dhe kundër interesit të shqiptarëve.

Koha për Edi Ramën është drejt skadimit. I bëjmë thirrje të heqë dorë nga çdo skenar destabilizues që ka mbi tryezën e tij në të kundërt Edi Rama do të jetë i vetmi që do të mbajë përgjegjësi njësoj si çdo diktator që del kundër vullnetit të popullit të bashkuar”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i PD.

Në emër të PD, Bardhi ftoi shqiptarët ‘të injorojnë kërcënimet e një pushteti të kalbur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni’.

Më herët Policia e Shtetit u bëri apel forcave politike të angazhuara për tubimin e datës 16 shkurt që të shmangin retorikat, të cilat nxisin veprime kundër rendit e qetësisë publike.

Po ashtu Policia e Shtetit ndau me publikun shqetësimin për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri.

Duke garantuar të drejtën e tubimit dhe lirinë e shprehjes së qytetarëve që manifestojnë për pikëpamjet e tyre politike, Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që s’kanë lidhje me këtë tubim, të marrin masa për kufizimin e lëvizjes së tyre gjatë datës 16 shkurt në mjediset ku do të zhvillohet protesta./b.l/noa.al/