Transmetuar më 08-02-2019, 14:37

Jo në pak raste, emigrantët shqiptarë kanë marrë të ashtuquajturin apelas apo espuls, çka nënkupton dëbim apo deportim nga shteti ku kanë shkuar për një jetë më të mirë, në mënyrë ilegale. “GSh” zbardh sot procedurën ligjore që duhet të ndjekin të interesuarit për të hequr këtë masë ndëshkimore.

Në rastet kur dëbimi është vendosur nga shteti helen për arsye dokumentesh duhet të bëhet një kërkesë për heqjen e emrit nga lista e personave të padëshirueshëm (“Lista e zezë”), kjo pasi të kenë kaluar 5 vjet.

Pra, personat duhet të kenë mbaruar afatin e apelasit, e mos të kenë probleme të tjera me shtetin grek. “Por ka mundësi që heqja e “apelasit” të kërkohet edhe pasi të ketë kaluar vetëm një vit, për arsye familjare apo arsye të tjera. Duke u drejtuar në zyrat përkatëse fillimisht bëhet një kërkesë në emrin e individit që ka marrë masën ndëshkimore për heqjen e apelasit dhe brenda dy muajsh do të jepet një përgjigje.

“Në rast se “apelasi” është marrë nga një shtet i zonës shengen, për arsye dokumentesh, ja se si veprohet për ta hequr: Nëse emigranti ka qenë prej vitesh me dokumente në Greqi, atëherë mund të vijë në shtetin grek dhe të bëjmë kërkesë për heqjen e apelasit. Çdo dokument që mund të jetë i nevojshëm nga shteti grek dhe shteti shqiptar, avokati do të marrë përsipër që t’i ketë në dispozicionin dhe më pas do të nisin procedurat”,-bëjnë me dije ekspertët në Greqi.

Ndërkohë të gjitha dokumentet duhet të jenë me vulën Apostile dhe përkthyer në gjuhën e shtetit të Shengenit që ka vendosur apelasin. Përkthimi realizohet në shtetin grek e çdo dokument nga Shqipëria duhet të ketë vulën Apostile.

Avokati bashkëpunon me shtetin përkatës për çdo detaj dhe për të arritur qëllimin, për heqjen e apelasit dhe për heqjen e emrit nga lista kombëtare e personave të padëshirueshëm, në një kohë që të gjitha veprimet zgjasin deri sa të dalë përgjigjja. “Për të gjithë ata që kanë vendim dëbimi, është shumë e vështirë heqja e dëbimit. Heqja e dëbimit mund të arrihet vetëm për arsye shumë serioze shëndetësore dhe familjare. Mundësitë për heqjen e dëbimit janë jashtëzakonisht të vogla”,-theksojnë më tej avokatët që merren me çështjet e emigracionit.

Fatos Malaj

Fatos Malaj

Lejet e qëndrimit

Tashmë, emigrantët shqiptarë në Greqi po hasin vonesa jashtëzakonisht të gjata në procesin e marrjes dhe rinovimit të lejeve të qëndrimit. Kjo bëhet me dije nga Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor në Ministrinë e Emigracionit në shtetin grek.

“Pas një periudhe normaliteti, në procesin e marrjes dhe rinovimit të lejeve është rikthyer prej disa kohësh situata e dikurshme, me vonesa jashtëzakonisht të gjata. Viti që sapo ka hyrë mbart shumë punë për shërbimet e emigracionit. 2019-a është viti kur duhet të rinovohet numri më i madh i lejeve të qëndrimit të të gjitha tipave. Rrjedhimisht, volumi i pritshëm gjatë këtij viti, duket se do ta rëndojë edhe më shumë situatën”, bën me dije Malaj. Ky i fundit shton se periudha më e vështirë do të jetë nga qershori i këtij viti dhe në vijim. “Vazhdimisht paraqiten faktorë të rinj në sistem. Një faktor shumë i rëndësishëm në këtë moment, që ka krijuar bllokim dhe një problem shumë të madh, është e ashtuquajtura “Vizë e Artë”. Janë investitorët e huaj që blejnë pasuri të patundshme në Greqi. Po të marrim parasysh se që nga qershori e tutje do të fillojnë të rinovohen masivisht edhe lejet që ishin dhënë për arsye të jashtëzakonshme, plus lejet trevjeçare që kishin dalë po masivisht në 2016, rezultati do të jetë një “koktejl shpërthyes”, për të cilin nuk e di se kush mund të na ndihmojë, sepse nuk shohim të na shtohet personeli dhe nuk shohim as të jepet zgjidhje”,-thekson eksperti.

Problemet e strategjisë

Fatos Malaj evidenton edhe 7 mangësitë në integrimin e emigrantëve. “Konstatohet lehtë se SYRIZA, në kaq vite qeverisje, nuk ka treguar aspak interes ndaj qindra mijëra emigrantëve që jetojnë në vend. Konkluzion ky që e vërteton më së miri dhe ky draft, pasi strategjia Kombëtare nuk referohet aspak në çështjet e sigurimeve shoqërore dhe pensionit (emigrantët, homogjenët dhe refugjatët që kanë të njëjtat ditë pune të siguruara -ensima, dhe përfitojnë pension shumë herë më të vogël se vendasit)”,-nënvizon eksperti. Ai shton se kjo strategji nuk i referohet legalizimit përmes bashkimit familjar dhe mbrojtjes së statusit të familjes pasi ka ende familje emigrante që, pavarësisht qëndrimit shumëvjeçar në vend, nuk mund të bashkohen ligjërisht. “Strategjia Kombëtare nuk referohet aspak në promovimin e lejes së qëndrimit afatgjatë. Prej kohësh ekziston një pikëpyetje e madhe që shkakton pasiguri e shqetësim në lidhje me të drejtat e poseduesve të lejeve pa afat apo me afat dhjetëvjeçar, ecurinë e dokumentacionit për këto dy kategori; procedurën për marrjen e nënshtetësisë greke; realitetin e ri të formuar në vend, ku në të njëjtën familje “emigrante” përfshihen tashmë anëtarë me nënshtetësinë greke”,-bën me dije ndërmjetësi ndërkulturor. Ky i fundit shton se është i domosdoshëm, mësimi i gjuhës amtare të emigrantëve nga brezi i dytë e i tretë, proces që parashikohet në legjislaturën kombëtare, por që qeveria e injoron. “Strategjia Kombëtare nuk referohet në parashikimin e rasteve specifike dhe reforma ligjore për emërimin/punësimin në sfera të caktuara për shërbimin e emigrantëve apo të huajve, në sektorin publik”,-thekson më tej eksperti Malaj.